“Pamfleti” e ka denoncuar prej ditësh këtë skandal, i cili sot u konfirmua me vota.
Gazetarja Eni Vasili, kandidatja e paracaktuar që 'Pamfleti' e kishte lajmëruar prej ditësh është zgjedhur ditën e sotme drejtoresha e re e Radio Televizionit Shqiptar.
Këshilli Drejtues ra "në gjunjë" para politikës dhe votoi sot me 7 vota pro Eni Vasilin në krye të televizionit publik.
Ky ishte raundi i dytë, pasi në raundi i parë dështoi për shkak se asnjë prej kandidatëve nuk mori 7 vota ose 3/5 e votave.
Në këtë raund ishin në garë vetëm 3 kandidatët më të votuar, Jakaj, Musai dhe Vasili. Vetëm 3 vota shkuan për Zoje Jakaj dhe 1 votë për kandidatin Engjëllush Musai.
Ishe pikërisht Vasili që mori mbështetjen me 7 vota nga Këshilli Drejtues i RTSH.
Këshilli Drejtues i RTSH, që në letër duhet të ishte organi që vendos mbi drejtimin e medias publike, u shpërbë dhe u ndërtua nga fillimi me vendim të Kuvendit, në një kohë kur procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm ishte në zhvillim.
Kjo lëvizje e koordinuar nga mazhoranca ndodhi në mënyrë të beftë, me arsyetimin se këshilli ishte jofunksional ose kishte përfunduar mandatin.
Në të vërtetë, ajo që ndodhi ishte “pastrimi i terrenit” për emërimin e Eni Vasilit, e cila shihej si “kandidatja e preferuar” dhe 'e emëruar nga lart' për drejtimin e RTSH.
Pas rrëzimit të këshillit, u ngrit një Këshill i ri, i cili formalizoi zgjedhjen e Eni Vasilit, duke e bërë fakt të kryer.
Në bazë të statutit të RTSH, Vasili pritet ta ushtrojë detyrën në 5 vitet që vijnë.
Polemikat në RTSH deri në zgjedhjen e Vasilit
RTSH ka qenë në qendër të debatit publik prej më shumë se një viti, pasi ish-drejtori Alfred Peza dha dorëheqjen në qershor të vitit të shkuar, pasi u përball me kritika për shkarkime masive nga puna të gazetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni gjatë vitit që mbajti detyrën.
Procesi i zgjedhjes së pasardhësit të tij u kontestua fort nga dy partitë e mëdha politike, të cilat, nëpërmjet Komisionit Parlamentar për Median dhe Edukimin, ndërmorën dhe aktin e paprecedentë të shkrirjes së Këshillit Drejtues në mars të këtij viti.
Parlamenti votoi më pas përbërjen e Këshillit të ri Drejtues, duke zgjedhur në këtë institucion individë të lidhur ngushtësisht me politikën, gjë që shqetësoi organizatat që mbrojnë lirinë e medias dhe së fundmi edhe Bashkimin Europian.
Kryetar i këtij këshilli u votua Fatjon Hoxhalli, 38 vjeç, me një përvojë pune gati një dekadë si këshilltar i afërt i Niko Peleshit gjatë detyrave të tij në ekzekutiv dhe si kryetar i grupit parlamentar socialist.
Në bordin me 10 anëtarë janë gjithashtu këshilltari i ish-ministrit socialist, Bledi Çuçi, një ish-zëvendësministër në qeverinë “Rama” dhe emra që vijnë nga fusha e artit apo gazetarisë, por që kanë një sfond politik ose afërsi me Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike.
RTSH është operatori i vetëm publik në vend dhe në bazë të dispozitave ligjore dhe standardeve të lirisë së medias, do të duhej të ishte i pavarur nga politika, standarde të cilat janë cënuar plotësisht me zgjedhjen e fundit të anëtarëve të Këshillit Drejtues./ Pamfleti
Lini një Përgjigje