TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Prill 2025, 10:37

Kryeministri shmang Frida Krifcën në takimet me fermerët, SPAK hesht për 170 milionë Euro fonde të BE

Shkruar nga Pamfleti

 

Kryeministri shmang Frida Krifcën në takimet me fermerët, SPAK
Edi Rama dhe Frida Krifca /

Edi Rama shmang Frida Krifcën në takimet me fermerët për të fshehur aferën e madhe të vjedhjes së 170 milionë eurove nga fondet e BE-së për bujqësinë. Ndërkohë, SPAK dhe BKH mbyllin sytë, duke e lënë ish-ministren që shkaktoi skandalin të vazhdojë të pastrojë milionat në beton dhe kulla, direkt nga zyra e kryeministrit...

Kryeministri Edi Rama ka nisur takimet elektorale me fermerët, duke premtuar se Shqipëria do të përfitojë 300 milionë euro në vit nga fondet europiane të bujqësisë, sapo vendi të bëhet pjesë e BE-së.

Në fakt, prej kohësh Sekretariati për Bujqësinë në BE i ka ndërprerë Shqipërisë grantet dhe donacionet "IPARD-II", për shkak të korrupsionit dhe mashtrimit të fondeve nga qeveria shqiptare. Kjo situatë u konfirmua nga Zyra Europiane Kundër Mashtrimeve (OLAF), e cila ka bërë kallëzim në SPAK, duke identifikuar si person kyç në këtë aferë ish-drejtoreshën e AZHBR-së dhe ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca.

SPAK prej më shumë se 3 vitesh nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj Krifcës, megjithëse ajo akuzohet direkt nga BE-ja se ka shpërdoruar rreth 170 milionë euro nga fondet bujqësore, në bashkëpunim me drejtorë rajonalë, kryebashkiakë dhe njerëz të lidhur me krimin, si i famshmi Ben Qimja. Këto fonde, që duhet të ishin shkuar për fermerët shqiptarë, janë përdorur për ndërtime kullash, hotelesh, pallatesh dhe vilash luksoze.

Ndërkohë, edhe pse e shkarkuar si ministre, Frida Krifca është ricikluar menjëherë nga Rama si këshilltare e tij në Kryeministri, pikërisht për fondet bujqësore. Së fundmi, ajo ka filluar të zgjerojë aktivitetin privat të biznesit të ndërtimit, duke përdorur familjarët e saj dhe përfituesit e fondeve bujqësore.

Kjo situatë është bërë problematike për Ramën, i cili tashmë e shmang hapur Frida Krifcën në çdo takim me fermerët, pasi prezenca e saj do të irritonte fermerët shqiptarë që tashmë e dinë mirë se ajo është përgjegjëse për grabitjen e fondeve europiane të bujqësisë.

Në anën tjetër, SPAK, nën drejtimin e Altin Dumanit, vazhdon të heshtë, megjithëse prej tre vitesh ka në dorë kallëzimin penal të OLAF-it, dy dosje të tjera plot me fakte dhe prova konkrete abuzimesh, si dhe paralajmërime të vazhdueshme nga institucionet ndërkombëtare që kërkojnë veprim urgjent.

Më 28 shtator 2023, Dumani deklaroi publikisht se ka filluar hetimi për fondet bujqësore, por në mënyrë të çuditshme, Frida Krifca asnjëherë nuk është marrë në pyetje, dhe madje nuk figuron as si person nën hetim nga SPAK dhe BKH, pavarësisht se dosjet e BE-së e identifikojnë atë si përgjegjësen kryesore për aferën 170 milionë euroshe.

Heshtja e SPAK-ut dhe manovrat politike të Ramës me Krifcën tregojnë se korrupsioni në Shqipëri vazhdon të jetë i paprekshëm, duke dëshmuar qartë lidhjet e errëta që mbajnë të lidhur politikën me oligarkët dhe kriminelët që vjedhin paratë e qytetarëve shqiptarë dhe europianë.

Ndërkohë, fermerëve u mbetet vetëm të presin, mes premtimeve të Ramës dhe drejtësisë së munguar, të cilën SPAK-u nuk po e realizon ende, ndërsa Frida Krifca vazhdon të jetë e lirë dhe aktive pranë kryeministrit. /Pamfleti

Kryeministri shmang Frida Krifcën në takimet me fermerët, SPAK

edi rama frida krifca fonde të be spak

Lini një Përgjigje