
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur si çdo të premte në SPAK, rreth orës 15:30 të ditës së sotme në zbatim të masës së caktuar nga GJKKO për detyrim paraqitje në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj tij për koncesionin e Sterilizimit.
Mbrojtja e ish Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka kërkuar prej dy muajsh që prokuroria ti vërë në dispozicion dosjen hetimore në ngarkim të tij, por ende nuk ka mundur ta marrë.
Beqaj tha se Prokuroria i ka krijuar pengesa për të marrë dosjen dhe se kërkon që të veprohet me shpejtësi nga gjyqtari.
“Që në dhjetor pas seansës së parë, kemi kërkuar që të njihemi me përmbajtjen e dosjes e cila është voluminoze, kërkesë kjo që na është pranuar. Por edhe pse ka më shumë se dy muaj SPAK na ka krijuar pengesa artificiale për të penguar dosjen.
Avokatët i janë drejtuar me një kërkesë prokurorit, Erjon Bani dhe do të doja që ai të vepronte me shpejtësi” tha Beqaj.
Masa e sigurisë ndaj tij u caktua në nëntor të vitit të kaluar.
Hetimi nga SPAK, ka të bëjë me shkeljet që pretendohet se Beqaj ka kryer në koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10 vjeçar të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj i cili tashmë ndodhet i arrestuar së bashku me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepajn.
Lini një Përgjigje