
Zyrtarë të Kontrollit të Lartë të Shtetit ndodhen prej disa ditësh në Bashkinë e Sarandës. Bëhet me dije se është urdhëruar një auditim financiar dhe përputhshmërie për periudhën 1 janar 2023 deri në 31 dhjetor 2023.
Në këtë periudhë Bashkia Sarandë ka qenë për rreth 6 muaj e drejtuar nga Ardian Gurma dhe 6 muaj të tjerë nga Oltion Çaçi. Janë të paktën 4 auditues që kryejnë kontrollet bashkë me drejtuesin e tyre B. Doracaj.
Vetëm para pak muajsh, KLSH publikoi raportin përfundimtar për të njëjtin auditim që e kreu po në Bashkinë Sarandë për periudhën 1 janar 2022-31 dhjetor 2022.
Nuk dihet për çfarë arsye KLSH vendosi sërish të vijë në Bashkinë Sarandë për të kryer tjetër auditim, por në raportin për vitin 2022 KLSH i rekomandoi Bashkisë masë disiplinore vërejtje deri në largim nga puna për 4 punonjës si dhe masë administrative ose disiplinore për 6 të tjerë.
Gjithashtu, bënhet me dije se prej disa kohësh edhe SPAK ka kërkuar informacion lidhur me dosje të ndryshme në Bashkinë e Sarandës që kanë të bëjnë kryesisht me dokumente pronësie por edhe me disa leje ndërtimi të dhëna.
Lini një Përgjigje