
President i ‘Kastrati Group’, Shefqet Kastrati ka zbuluar gjatë një interviste televizive një plan tejet ambicioz që është rezervuar për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Ai e përshkruan si një lajm që ngjall shumë interes dhe ngjan si një ëndërr për të cilën po punohet për ta bërë realitet dhe më saktësisht bëhet fjalë për një linjë dirkete me Amerikën.
“Në muajin dhjetor nisim projektin për zgjatimin dhe riveshjen e pistës, e cila pritet të mbarojë në verë të vitit 2025, kur aeroporti do të jetë gati të mirëpresë avionët e mëdhenj transoqeanik”, ka treguar ai.
Sipas Kastratit, linja e parë që planifikohet të vendoset do të jetë Tiranë – New York dhe pas saj, do të vijohet me pasurimin e linjave të tjera drejt SHBA-ve, edhe drejt Kanadasë.
“Lidhja e drejtpërdrejtë me Amerikën do të ndikojë shumë në rritjen e turizmit edhe nga vizitorë përtej Atlantikut, por më e rëndësishmja, do të lehtësojë shumë vizitat e diasporës shqiptare në vendin e tyre”, tha Kastrati, teksa shtoi se entuziasmi i marrë prej shqiptarëve në Amerikë për këtë plan, “e ka kthyer në mision realizimin e kësaj ëndrre disa-vjeçare”.
Lini një Përgjigje