Parlamenti Italian ka nisur diskutimet për paktin me Shqipërinë për refugjatët. Drafti ka shkuar sot në Dhomën e Deputetëve dhe nuk kanë munguar debatet.
Ishte ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, ai i cili mbrojti patin paktin dhe u përball me akuzat e opozitës. Ai tha se nuk ka asnjë ngjashmëri mes paktit që Britani arriti me Ruandën. Tajani tha se shumë shpejt pakti do të vijë në formën e një projektligji.
“Debati i sotëm dhe votimi që do ta përmbyllë, dëshmon, se qeveria jonë nuk i është shmangur asnjëherë, sidomos për çështje kaq të rëndësishme, dialogut dhe shqyrtimit nga Parlamenti”, nënvizoi Tajani.
“Ky Protokoll nuk është i krahasueshëm me marrëveshjen midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Ruandës. Nuk ka kontratë të jashtme të menaxhimit të kërkesave për azil në një vend të tretë. Dhe nuk ka asnjë shmangie nga të drejtat e garantuara ndërkombtarisht, të cilat vërtet janë riafirmuar shprehimisht disa herë në Protokoll”, tha Tajani.
Pothuajse vetëm opozita e dëgjoi: karriget e qendrës së djathtë, të paktën në fillim të seancës, ishin bosh. “Qeveria ka goditur Kushtetutën”, tha sekretarja e Partisë Demokratike, e cila ngriti zërin për herë të parë në sallë gjatë fjalimit të Tajanit. Ndërsa kreu i punëve të jashtme të Nazareasve, Peppe Provenzano, foli për një "kthesë pozitive" nga qeveria. Ndërsa kreu i grupit M5s, Francesco Silvestri, nënvizoi se “luhatshmëria dhe konfuzioni i Tajianit janë pasqyra e kësaj qeverie”.
Me këtë marrëveshje Italia po bëhet gati të paguajë fushatën e radhës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, tha deputeti i Partisë Demokratike, Matteo Mauri.
“Po flasim për qindra miliona euro të italianëve. Ne duam të dimë sa policë, sa ushtarë do dislokohen atje? Mua më rezultojnë mijëra. Po këta gra e fëmijë si do rrinë, çfarë doni të bëni ju të ndani familjet e refugjatëve?”, tha Mauri.
Mes ironisë edhe deputeti Riccardo Ricciardi nga “Lëvizja 5 Yjet”, tha se fatura e turistëve italianë të paguar nga Meloni në Shqipëri do kushtojë 16,5 milionë euro, shto 100 milionë euro fond garancie.
“Vini këtu dhe na thoni që po zgjidhni problemin e emigrantëve. Të paguajmë ne policinë shqiptare për ruajtje? Pse? Aq sa kushtojnë 2 qendra atje do ishin ngritur 10 të tilla në Itali, ju nuk po zgjidhni asgjë. Këtu fiton vetëm kryeminsitri shqiptar Edi Rama i cili ka nevojë për sponsor si Italia që të përparojë në rrugën e nisur drejt Bashkimit”, u shpreh Riccardi.
Më pas Dhoma e Përfaqësuesve i dha dritën jeshile një rezolute të propozuar nga mazhoranca. Me 189 vota pro dhe 126 kundër të të gjithë opozitës u miratua drafti që angazhon qeverinë “të miratojë çdo iniciativë të nevojshme, duke përfshirë edhe një projekt-ligj ratifikimi, për një zbatim efektiv dhe urgjent të Protokollit” midis Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët. Kjo ndez dritën jeshile që pakti të kalojë për miratim.
Lini një Përgjigje