
SPAK zbardhi akuzat për 11 personat që vepronin si grup i strukturuar kriminal, mes të cilëve edhe ish nëndrejtori i policisë së Tiranës Erzen Breçani. Për 10 prej tyre u dha masa e sigurisë “arrest me burg”, për Jonida Babameta, oficere e drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, detyrim paraqitje.
SPAK thotë se masa “arrest me burg” është dhënë për Ismail Zenelin; Bujar Ajeti; Dedian Gjoni, shef i krimeve në komisariatin nr.6, Erzen Breçani, ish nëndrejtori i policisë Tiranë; Besmir Muratin; Artan Sulejmanin; Albert Prengës; Bujar Grabovas; Erald Breçanin dhe Ervin Matën.
Gazetarja Keti Banushi e ftuar në “Studio Live” ka deklaruar se grupi kriminal trafikonte sasi të mëdha kokaine në vende të Evropës dhe kryesisht nga vende të Amerikës Latine që nga viti 2021. Ervin Mata, mendohet të jetë koka e grupit. “Aktiviteti i tyre kriminal ka vijuar deri ditët e fundit. Koka e grupit dyshohet se është Ervin Mata”, tha Banushi.
Vetëm për Erzen Breçanin, Besmir Muratin, Dedian Gjonin dhe Bujar Ajetin është ekzekutuar urdhri për arrestin me burg. Kurse disa prej të kërkuave sipas gazetares Banushi dyshohet se ndodhen në Spanjë.
“4 prej personave për të cilët është vendosur masa e sigurisë dyshohet se ndodhen në Spanjë. Sipas SPAK dhe aktivitetin e tyre e kanë jashtë Shqipërisë. Po zhvillohet dhe një operacion paralel në vendet ku ata dyshohet se janë”, u shpreh gazetarja.
“Zyrtarja e policisë kufitare më herët ka punuar te Interpolit. Aktiviteti i saj lidhjet me faktin që ajo ishte pjesë e strukturës së Interpol duke dhënë informacione për dy persona, për ekzekutimin e tyre. Vëllezërit kanë pasur konflikt me grupin në fjalë. Ndodhen në Britani. Ajo ka dhënë informacione për vendndodhjen e tyre”, shtoi ajo.
Lini një Përgjigje