
Aktivistja politike Evi Kokalari duke folur për situatën politike në vend, ka zbuluar se Lëvizja Konservatore e saj mund të kthehet në parti politike.
Në një intervistë për emisionin ‘Breaking’ në Top News, Kokalari u shpreh se qëllimi i saj është shkatërrimi i sistemit dhe rivendosja e demokracisë në vend.
Kokalari e pyetur në studio nëse mund të ketë një koalicion me Bashën nuk e mohoi diçka të tillë, teksa shtoi se Basha duhet të jetë shumë larg Edi Ramës, pasi qëllimi i saj i vetëm është rrëzimi i tij në 2025-n.
“Politikisht kam besimin dhe idenë se lëvizja do kthehet në parti. Sepse është krejtësisht e nevojshme, sepse është krijuar një boshllëk që njerëzit mendonin se do e mbushja unë dhe tani kanë filluar të dalin elementë që do e dëmtojnë ndryshimet reale që ne duam në Shqipëri dhe po marrin avantazh dhe nga situata në PD, e çdo gjë tjetër. E shoh të domosdoshme të kthehem dhe ta kthej në parti konservatore. Është hera e parë që po e them.
Jam takuar me Bashën. E pyeta çfarë do bëjë, më ka folur hapur për idetë e veta. Mund ta takoj edhe njëherë përpara se të iki. E kam parasysh tani se çfarë po bën PD-ja zyrtare, në çfarë rruge është. Unë koalicionin me Lulzim Bashën e bëj, nëse ai është shumë larg Edi Ramës, sepse qëllimi im i vetëm është heqja e Edi Ramës në 2025 dhe jo vetëm.
Ideja ime është një shkatërrim total i sistemit, këtu po fus edhe mediat. Pushteti i ka detyruar bizneset dhe mediat të shkojnë në njëfarë rruge. Unë kam idenë që ne duke qenë të kujdesshëm, shkatërrojmë sistemin, tërheqim median nga rruga që ka qenë deri tani, ta çojmë në një rrugë më të drejtë, sepse media ka shumë rëndësi në jetën demokratike të një vendi”, shprehet Kokalari.
Lini një Përgjigje