TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Tetor 2023, 20:40

Kriza në Kosovë dhe “non gratat”, James O’Brien “bosi” i ri i DASH për Europën; spostohet Yuri Kim

Shkruar nga Pamfleti
Kriza në Kosovë dhe “non gratat”, James O’Brien
James O’Brien

Senati amerikan emëron James O’Brien Ndihmës-Sekretar të Shtetit për Europën dhe Euroazinë...

James O’Brien do të jetë Ndihmës-Sekretar i Shtetit për Europën. 5 muaj pas propozimit të tij në këtë post, Senati Amerikan ka miratuar dje kandidaturën e tij me 63 vota pro dhe 32 vota kundër. 

O’Brien që ka shërbyer dikur si ndihmës i afërt dhe këshilltar i ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, është një nga njohësit më të mirë të rajonit të Ballkanit në Departamentin e Shtetit.

Propozimi për të u bë që në muajin maj, por duke qenë se po zvarritej votimi në senat, në atë post u emërua provizorisht ambasadorja, Yuri Kim. Ajo u largua nga Tirana dhe mori detyrën e lartë. Por duket se pak muaj ka zgjatur ky pushtet, pasi pak ditë pas përplasjeve në Kosovë, O’Brien ka marrë detyrën. Aktualisht Kim do jetë Zv/Ndihmës-Sekretar i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, raporton "Pamfleti".

James O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999.

Që nga viti 2022, Jim O’Brien punon si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin Amerikan të Shtetit. Sipas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë, O’Brien më parë shërbeu në dy administrata amerikane, si i dërguar special presidencial.

Kriza në Kosovë dhe “non gratat”, James O’Brien

Emërimi i tij pritet të sjellë zhvillime në Ballkan. Përveç fokusit të veçantë që do i kushtohet Kosovës, pritet që të ketë masa më të forta ndaj të korruptuarve. Ndihmës Sekretari është ai që ka në dorë “non gratat”.

Ai udhëhoqi një program të madh dhe të suksesshëm sanksionesh dhe këshilloi për një sërë çështjesh, duke përfshirë negociatat e paqes në Evropë, marrëveshjet shkencore dhe mjedisore, tranzicionin post-sovjetik të Rusisë dhe Ukrainës, si dhe iniciativat për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat përgjegjës për krimet e luftës”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

O’Brien ishte i angazhuar edhe në gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, e cila i dha fund kësaj lufte.

Ai gjithashtu, udhëhoqi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gjykatën Ndërkombëtare për krime të luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, e cila ndihmoi për sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. /Pamfleti

james o’brien

Lini një Përgjigje