
Ish kryetari i bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri duket se nuk i ka mbyllur ende hesapet me drejtësinë, edhe pse pak kohë më parë u shpall i pafajshëm nga Apeli i GJKKO-së.
Sipas Top Channel, ish-kryebashkiaku Kapri është marrë i pandehur sërish dhe ndaj tij është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me dy punonjës të tjerë të bashkisë së Pogradecit.
Hetimi ndaj ish zyrtarit të pushtetit lokal ngre dyshime për tejkalimin e zgjatjes së afatit të një lejeje, për të cilën nga afati deri në 2015 është firmosur deri në 2017.
Hetimi i ish kryebashkiakut vjen jo shumë kohë pasi ai u shpall i pafajshëm nga gjykata e Apelit Antikorrupsion, së bashku me vartës të hetuar për shkelje të barazisë në tendera.
Për këtë hetim Eduart Kapri mori dy pafajësi në të dyja shkallët e gjyqësorit e së bashku me të edhe një ish drejtoreshë dhe një ish koordinator, që SPAK i akuzoi për një tender për dru zjarri dhe për mbylljen e tre shkollave të miratuara si qendra votimi.
Në atë kohë ndaj Kaprit si edhe ndaj çdo zyrtari pati hetim pasuror, që u mbyll pa ngritje akuze dhe pa dyshime ndaj tij. Siç konfirmon SPAK, nga 2020 deri më tani , janë regjistruar 21 emra zyrtarësh të cilët po procedohen për fshehje pasurie dhe mos deklarim të saj.
Lini një Përgjigje