
Genti Xhaxhiu, ekspert i integrimit, tha në një intervistë, se në rast të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ose siç njihet shkurt SPAK, do duhet të “mbyllë qepenat”. Sipas tij, çdo gjykatë speciale mbyllet nëse anëtarësohesh në union dhe çështjet i kalojnë gjykatave apo prokurorive të zakonshme.
“Automatikisht rrëzimin e çdo gjykate speciale. Pra çdo gjykatë speciale apo tribunal, apo një strukturë e ngritur me një objektiv të caktuar, ditën e anëtarësimit do duhet të mbyllë qepenin dhe këto çështje duhet t’i shkojnë gjykatave të zakonshme, gjykatave normale të juridiksionit penal, juridiksionit civil, por në këtë rast flasim për SPAK-un kështu që flitet për juridiksionin penal”, tha Xhaxhiu në Klan News.
Sipas tij, shembulli më i thjeshtë është Rumania. Para integrimit atje kishte një gjykatë speciale. Pak muaj pasi vendi u fut në BE-së, strukturat speciale u mbyllën dhe gjykatësit e prokurorët u sistemuan në gjykatat dhe prokuroritë e zakonshme.
“Strukturat e posaçme nuk janë diçka e zakonshme. Unë mendoj që Shqipëria nuk do të jetë një rast “sui generis”. Përpara anëtarësimit Shqipëria dhe çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, do duhet ta suprimojë dhe ta lëvizë kushtetutën dhe ta nxjerrë atë jashtë rendit juridik shqiptar”, tha ai.
Lini një Përgjigje