
Nuk dihet nëse dorëheqja e Sulejmanit, ka lidhje me ultimatumet e Kryeministrit Edi Rama që ka kërkuar dorëheqje masive nga zyrtarë lokalë dhe ato të agjencive...
Florian Sulejmani ka dhënë dorëheqjen si kreu i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore. Sulejmani, sipas raportimeve, ia ka dorëzuar dorëheqjen ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Ende nuk dihen arsyet që e shtynë Sulejmanin të dorëhiqej, ndërsa ai drejtonte AMP-në prej të paktën dy vitesh. Në atë kohë, Sulejmani u emërua pas një konkursi.
Nuk dihet nëse dorëheqja e Sulejmanit, ka lidhje me ultimatumet e Kryeministrit Edi Rama që ka kërkuar dorëheqje masive nga zyrtarë lokalë dhe ato të agjencive. Pak ditë më parë, Rama njoftoi ‘shkrirjen’ e AKU-së, agjencisë që ka për detyrë sigurinë ushqimore. Dhe pas kësaj Rama paralajmëroi një reformë të thellë në të gjitha agjencitë shtetërore.
Rreth 4 muaj më parë, Sulejmani u përball me një masë sigurie nga Prokuroria e Beratit, e cila e pezulloi nga detyra, por brenda 10 ditësh nga kjo masë, Gjykata e Tiranës e pezulloi masën.
Më konkretisht, Prokuroria e Beratit njoftoi më 16 prill caktimin e masës së sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, AMP, Florian Suljemani, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar ndaj tij për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Sipas prokurorisë, çështja penale në ngarkim të Sulejmanit ka të bëjë me transferimin e vartësve të Sulejmanit.
Por më 26 prill, Gjykata e Tiranës ka dhënë vendim për heqjen e masës së pezullimit nga detyra ndaj Florian Sulejmanit. Vendimi erdhi pas kërkesës së paraqitur nga organi i akuzës së Tiranës, i cili argumentoi se nuk ekzistonin më kushtet për të mbajtur në fuqi masën ndaluese.
Përfaqësuesi i prokurorisë sqaroi se veprimet e mëparshme të zyrtarit nuk kishin sjellë pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e institucionit.
Lini një Përgjigje