Pas ndërhyrjes së Policisë dhe hetimeve paraprake, në automjetet e të ndaluarve u gjetën lista me të dhëna personash të dyshuara si lista zgjedhësish.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare, bashkëshorti i deputetes së Partisë së Lirisë, Elda Hoti, është arrestuar nga Policia në qytetin e Rrëshenit, pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e 10 majit. Së bashku me të është arrestuar edhe Amarildo Jushi.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Ladi Ndoja 45 vjeç, u ndalua në flagrancë së bashku me një tjetër person, nën akuzat për pengim të qarkullimit të mjeteve, vetëgjyqësi, kërcënim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Donaj” të Rrëshenit, ku Ladi Ndoja dhe i riu Amarildo Jushi dyshohet se bllokuan me makinat e tyre një automjet të cilin e akuzonin për përfshirje në blerje votash. Pas ndërhyrjes së Policisë dhe hetimeve paraprake, në automjetet e të ndaluarve u gjetën lista me të dhëna personash të dyshuara si lista zgjedhësish.
"Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
-L. N., 45 vjeç, banues në Mirditë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”
-A. J., 25 vjeç, banues në Mirditë, për veprat penale “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 10.05.2025, rreth orës 20:20, këta shtetas me dy automjetet e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga shtetasi R. K., 46 vjeç (drejtues automjeti) dhe A. D. (pasagjer), të dy banues në Rrëshen, me pretendimin se këta shtetas po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave.
Shërbimet e Policisë, menjeherë pas marrjes së njoftimit për bllokimin e rrugës në lagjen “Donaj” në Rrëshen dhe konfliktin verbal mes këtyre shtetasve, kanë ndërhyrë, duke shoqëruar palët në Komisariat dhe kanë kryer veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë", njofton policia.
Ndërkohë arrestime të të afërmve të kandidatëve pati edhe ditën e djeshme. Në prangat e policisë ka rënë edhe babai i kandidatit socialist Daniel Gjura, Esat Gjura i cili qëlloi me armë zjarri në ajër mbrëmjen e djshme në Peshkopi.
Dyshohet se Gjura, efektiv policie, ka qëlluar me armë, pasi kandidatët për deputetë të PD-së Xhelal Mziu dhe Xhemal Gjunkshi së bashku me simpatizantët e PD-së, i kanë bllokuar makinën, për dyshime për shit-blerje votash.
Lini një Përgjigje