Procesi gjyqësor për çështjen e inceneratorit të Elbasanit është shtyrë sërish. Shkak është bërë pasi mungojnë avokati i Etleva Kondit dhe i kompanisë Albtek Energy.
Ndërkohë, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako nuk ishin të pranishëm në seancë.
Kujtojmë se SPAK ka mbyllur hetimet për inceneratorin e Elbasanit, ndërkohë që ende nuk ka një vendim nga GJKKO. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi pak javë më parë hetimet dhe çoi për gjykim të akuzuarit Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe 2 kompanitë shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Mbi të gjithë personat më sipër rëndojnë akuzat e “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Ndërkohë që duhet thënë se Stela Gugallja, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto tre personazhet e rëndësishme për hetimet e inceneratorëve në Elbasan dhe Fier, tashmë në kërkim ndërkombëtar, janë hetuar edhe më herët nga prokuroria e Elbasanit, për të njëjtat akuza për të cilat SPAK i ka marrë të pandehur. Në 7 shkurt, u bë me dije se Stela Gugallja është identifikuar në Austri dhe tashmë SPAK ka dërguar kërkesën për esktradimin e saj drejt Shqipërisë.
Lini një Përgjigje