
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga grabitja e banesës së gjyqtares Shpëtime Pitaku në Durrës.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth një javë më parë dhe denoncimi është bërë nga bashkëshorti i saj. Ai ka deklaruar se në banesë nuk ka pasur asnjë person në momentin që hajdutët kanë hyrë brenda, pasi kanë qenë në punë.
Bashkëshorti i gjyqtares në Gjykatën e Durrësit është shprehur se i kanë marrë një shumë të vogël parash dhe bizhuteri, vlera e të cilae nuk bëhet ende me dije.
Raportohet se grabitës kanë marrë një shumë prej 2000 euro. Ndërkohë në lagjen ku banon gjyqtarja, si edhe në banesën e saj nuk ka kamera sigurie.
Por kush është gjyqtarja që u grabit?
Gjyqtarja e Durrësit, Shpëtime Pitaku është kallëzuar penalisht në vitin 2015 nga ILDKPKI për pastrim parash dhe fshehje e një pasurie me vlerë 1 milionë dollarëve amerikanë.
Ministria e Drejtësisë ka kërkuar ndëshkimin e saj, por në fund të hetimeve nuk iu gjet asnjë shkelje. Nga vetëdeklarimet që ajo ka bërë pranë institucioneve përkatëse, listohej si një ndër gjyqtaret më të pasura në vend.
Në deklaratën e saj të pasurisë, vetëm për vitin 2015 që ka dorëzuar pranë ILDKP, gjyqtarja thotë se ka 5 lokale; nga qeratë e të cilave raporton se ka marrë 9 600 euro, 360 000 lekë, 1 200 euro, 1 200 euro dhe 1 800 euro. Po ashtu, deklaronte edhe një sipërfaqe trualli 650 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 442 m2, në bashkëpronësi.
Megjithatë, Pitaku pohon se ka marrë edhe një kredi në shumën 60 mijë euro, për blerjen e një shtëpie me sipërfaqe 135 m2; e po ashtu për blerjen e një makine Audi A3.
Lini një Përgjigje