
Gazetari Adriatik Doçi, duke folur për çështjen e “21 janarit”, ka treguar detaje lidhur me gjyqtarët që morën vendimin për dënimin e gardistëve që qëlluan protestuesit.
Doçi tha se nga 11 gjyqtarët nëpër të cilët ka kaluar vendimi, vetëm 2 prej tyre janë ende në sistem, ndërsa 9 të tjerët janë shkarkuar gjatë procesit të vettingut.
Atyre madje u janë gjetur pasuri të paligjshme dhe lidhje me baronë të krimit të organizuar.
“Hetimet janë bërë nga disa prokurorë dhe vendimi është marrë nga 11 gjyqtarë, 3 të shkallës së parë, 3 të apelit, dhe 5 të Gjykatës së Lartë, vetëm 2 prej tyre janë në sistem. Asnjë prej tyre nuk e ka kaluar vettingun. 9 janë shkarkuar me vendim të formës së prerë për pasuri të paligjshme dhe për lidhje me baronë të krimit të organizuar. Kanë mbetur në sistem vetëm 2 gjyqtarë të shkallës së parë, të cilët ende nuk kanë kaluar në sitën e vettingut”, tha Doçi.
Ndër të tjera gazetari zbuloi se muaj pasi u mor vendimi për 4 protestuesit e vrarë në 21 janar 2011, gjyqtarët filluan të deklaronin shuma të mëdha parash prej qindra mijëra eurosh dhe apartamente e biznese.
“Disa muaj pasi janë marrë vendimet, befas një nga gjyqtarët deklaron 100 mijë euro cash, dikush tjetër blen një apartament, dikush një biznes. A është kjo rastësi, apo janë korruptuar me para nga ata që kryen vrasjet e 21 janarit? Kjo mbetet për t’u zbardhur nga SPAK”, shtoi gazetari në Report Tv.
Lini një Përgjigje