
Gjykata e Apelit në Tiranë ka liruar nga qelia përmbaruesin privat Alban Ruli dhe nga masa e sigurisë “Arrest shtëpie” shtetasin Ilir Thana, të cilët u arrestuan së bashku me ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokuataj, në lidhje me dosjen e dëmit në shumën prej 1.2 milionë eurove ndaj buxhetit të shtetit.
Përmes një njoftimi për mediet Gjykata e Apelit se trupi gjykues me relator gjyqtaren Brikena Ukperaj dhe anëtarë Genti Shala dhe Dritan Hasani, vendosi, të lirojë nga qelia Ilir Thanën, si dhe shuajë masën e sigurisë “Arrest Shtëpie” për Alban Rulin.
Gjykata Apelit njofton se “Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale, që i përket të pandehurit Alban Ruli, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, si dhe të pandehurit Ilir Thana, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vjedhjes” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 15.12.2023 vendosi: Deklarimin fajtorë të pandehurit Alban Ruli për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe dënimin e tij me 1 vit dhe 9 muaj burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Alban Ruli, për kryerjen e veprës penale “Pengimi për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, dhe dënimin e tij në bazë të kësaj me 3 muaj burgim. Në bashkim të dënimeve, të pandehurit Alban Ruli i jepet një dënim i vetëm prej 1 vit dhe 9 muaj burgim. Në kuadër të gjykimit të shkurtuar, Alban Ruli u dënua përfundimisht me 1 vit e 2 muaj burgim.
Po ashtu, Gjykata e Shkallës së parë deklaroi fajtor të pandehurin Ilir Thana, për kryerjen e veprës penal ”Vjedhja”, dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozitë me 5 vjet burgim. Deklarimin fajtorë të pandehurit, Ilir Thana për kryerjen e veprës penal “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozitë me 3 muaj burgim. Në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të Kodit penal, të pandehurit Ilir Thana i jepet një dënim i vetëm prej vjet burgim dhe prej gjykimit të shkurtuar në totaj 3 vjet dhe 4 muaj burgim”, sqaron Gjykata e Apelit.
Dy të pandehurit e dërguan çështjen në apel dhe kërkuan pafajësinë e tyre.
“Në përfundim të gjykimit, sot më datë 28.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar znj. Brikena Ukperaj dhe anëtarë z. Genti Shala dhe z. Dritan Hasani, vendosi: Ndryshimin e Vendimit Nr. 3006, dt. 15.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke deklaruar të pafajshëm të pandehurin Alban Ruli për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i Detyrës”, dhe veprës penale “Pengimi për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.
Në lidhje me të pandehurin Ilir thana Gjykata vendosi: Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Thana për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes”. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Thana për kryerjen e veprës penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe dënimin e tij me 3 muaj burgim. Në zbatim të gjykimit të shkurtuar të pandehurit Ilir Thana i zbritet 1/3 e dënimit duke u dënuar me 2 muaj burgim. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Ilir Thana nga institucioni i paraburgimit ku ai ndodhet, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër. Po ashtu Gjykata Apelit vendosi që shuma prej 1.859.920 lekë, e sekuestruar me procesverbalin datë 15.12.2022, në llogarinë e shtetases Sh. P dhe shuma prej 21.109.384 lekë, e sekuestruar me procesverbalin datë 15.12.2022, në llogarinë qëllimore të përmbaruesit Alban Ruli për kreditorin Ilir Thana, të ruhen derisa të zgjidhet nga gjykata civile konflikti i ngritur për pronësinë e tyre”, përfundon njoftimi.
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm më datë 29.02.2024, ka vendosur: “Shuarjen e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të caktuar për të pandehurin Alban Ruli, me vendimin Nr. 9, datë 02.02.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shkak se e ka vuajtur dënimin e dhënë me vendimin Nr. 3006, datë 15.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”.
Lini një Përgjigje