TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Mars 2024, 17:31

SPAK mësyn në Bashkinë e Tiranës, arrestohen drejtorët e Veliajt

Shkruar nga Pamfleti
SPAK mësyn në Bashkinë e Tiranës, arrestohen drejtorët
Mariglen Qato, Redi Molla dhe Erion Veliaj

Arrestimet vijnë në kuadër të dosjen 5D, për të cilën opozita ka bërë disa denoncime.

Prokuroria e Posaçme ka mësyrë sërish në Bashkinë e Tiranës. Mësohet se janë arrestuar disa zyrtarë. 

Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka vendosur 9 masa sigurie, 3 prej tyre janë arrest në burg, 6 të tjera janë detyrim paraqitje. Mësohet se masë sigurie arrest me burg është firmosur për Mariglen Qaton, ish-drejtor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës dhe ish-drejtorin e UKT-së Redi Molla. SPAK ka kërkuar masë të dytë sigurie edhe për Taulant Tushen, ish-drejtor i Punëve Publike - Bashkia e Tiranës. Ky i fundit është në qeli për aferën me incenceratorin e Tiranës. 

Ndërsa detyrim paraqitje janë lënë Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari dhe Debora Keçi.

Arrestimet vijnë në kuadër të dosjen 5D, për të cilën opozita ka bërë disa denoncime.

Sipas të dhënave, SPAK-u ka kryer hetime intensive duke e zgjeruar një kallëzim të kryer nga Belind Këlliçi në një dosje voluminoze ku përfshihen disa drejtorë kryesorë, të cilët kanë qarkulluar në disa prej drejtorive kryesore të Bashkisë Tiranë.

Bëhet fjalë për të dhëna, të cilat shkojnë te subjektet dhe personat e përfshirë në dosjen e famshme “5D”.

Ka qenë politikani Belind Këlliçi, i cili gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 Majit denoncoi drejtorët që merrnin miliona euro tendera nga Bashkia e Tiranës.

Belind Këlliçi ka denoncuar korrupsionin galopant në Bashkinë e Tiranës, ku janë përfshirë zyrtarët më të lartë dhe njerëzit më të afërt të kryebashkiakut socialist Erion Veliaj. Konkretisht, bëhet fjalë për drejtorin e IMT-së, Mariglen Qato.

Mariglen Qato dhe familjarë të tij kanë marrë leje ndërtimi dhe tendera në Bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për 29 procedura prokurimi me vlerë 25 milionë euro, që janë përfituar indirekt nga drejtori dhe krahu i djathtë i kryebashkiakut Erion Veliaj.  "Mariglen Qato përmes të vëllait të tij dhe të afërmve të lidhur drejtpërdrejt me vëllain e tij nga viti 2016 ka hapur një kompani të cilës në fakt i ka ndërruar 3 emrin. Që quhej fillimisht IGOR ELEKTRIK, më pas V.A.S konstruksion dhe tashmë është e famshmja 5D konstruksion, janë 5 drejtorët e bashkisë me të cilën, do të thoni ju çfarë ka problem, ka marrë plot 29 tendera në vlerën 25.16 mln euro pa TVSH. Por nga i ka marrë këto tendera, se nuk është se ka bërë biznes të ndershëm. Këto tendera ky zotëri I ka marrë nga Bashkia e Tiranës, plot 15 të tilla në vlerën 10.5 mln euro. Nga UKT-ja ku ka qenë titullar dhe drejtues dhe ku ka familjarët e tij që drejtojnë financat ka marrë 10 tendera në vlerën 9.5 mln euro. Nga OSHEE ka marrë 3 tendera në vlerën 3.2 pothuaj mln euro dhe nga ARRSH-ja 1 tender në vlerën 1.89 mln euro", u shpreh Këlliçi më 26 Prill 2023.

Ajo ka për pronar Muhamet Petritin, vjehrrin e shtetasit Alfred Qato. Ky i fundit rezulton se është vëllai i drejtorit të Inspektoriatit të Territorit, Mariglen Qato, drejtori i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

SPAK mësyn në Bashkinë e Tiranës, arrestohen drejtorët

Si u ndërtua kompania?

Në rend kronologjik gjithçka fillon me rrotacionin dhe marrjen nga socialistët të drejtimit të Bashkisë Tiranë, pra në 2015-ën, ku rezulton të jetë kryer në funksionet drejtuese të ndërmarrjeve apo shoqërive aksionere në varësi apo pronësi të Bashkisë Tiranë, të gjithë këtyre drejtorëve që janë njerëz dhe bashkëpunëtorë të pushtetit.

Njëri prej personave që mori funksione drejtuese, është edhe zoti Mariglen Qato, i cili sipas të dhënave të bëra publike u emërua drejtor drejtorie në DPN2, e më pas si Drejtor Departamenti pranë Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, 2016-2018, ndërkohë që prej shtatorit të vitit 2018 drejton dhe është Kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Tiranë.

SPAK mësyn në Bashkinë e Tiranës, arrestohen drejtorët

Qato konsiderohet si një nga njerëzit më të rëndësishëm të Bashkisë Tiranë. IKMT e Bashkisë Tiranë ka qenë një nga institucionet kryesore në shërbim të aferës së inceneratorëve dhe kompanisë së landfillit të Tiranës, ku nga ky bashkëpunim, përfshi edhe disa institucione të tjera, kompania ka siguruar të ardhura që shkojnë mbi 60 milionë euro, kjo si pjesë e një marrëveshjeje të firmosur mes disa strukturave të bashkisë dhe kompanisë.

Pasi socialistët morën detyrën dhe filluan të ushtronin funksionet publike vendimmarrëse sa më sipër, rezulton se në treg lindi një kompani e re që sot njihet dhe figuron e regjistruar në regjistrin tregtar me emrin “5D KONSTRUKSION” sh.p.k. Tiranë, themeluar fillimisht në datën 21.01.2016.

SPAK mësyn në Bashkinë e Tiranës, arrestohen drejtorët

Nga verifikimi “online” i regjistrit tregtar që mbahet, administrohet dhe përditësohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit, rezultojnë të dhëna interesante, të cilat tregojnë lidhjet dhe veprimet e kësaj kompanie tashmë të famshme.

Themelimi

Sipas aktit të themelimit, kompania është themeluar në datë 21.01.2016, me emrin fillestar “IGOR ELEKTRIK” sh.p.k., me NIPT - L……..P, ku aksioner i vetëm i saj është shtetasi E. META, i datëlindjes ‘79, i biri i E., lindur në Tiranë. Adresa fillestare e deklaruar e ………………

Zoti E. Meta, themeluesi i kompanisë “IGOR Elektrik”, njihet prej kohësh përfshi dhe momentin e themelimit/regjistrimit të kësaj kompanie (Janar 2016), si një lidhje shoqërore e ngushtë e MARIGLEN QATOS. Zj.A, M. bashkëshortja e z.E. Meta punon si drejtoreshë finance në një agjenci të rëndësishme qeveritare.

Pas ndryshimit të adresës së zyrës qendrore të kësaj shoqërie, kjo shoqëri ka ndryshuar dy herë adresën e saj, duke e vendosur si vend kryesor të zhvillimit të aktivitetit në datën 28.9.2016 në adresën: rruga “Babë Rexha”, Q.Tregtare K. C., Tiranë, dhe më pas në datë 30.01.2017, në adresën tjetër në rrugën “Gjin Bue Shpata”, H., Kt ., Tiranë. Dy lëvizje të shpejta të zyrës së aktivitetit.

Shitjet e aksioneve

Në datën 27.01.2017, sipas Kontratës së Shitblerjes së Kuotave Nr. 242 Rep. dhe Nr. 20/2 Kol data 27.01.2017, lidhur përpara Noteres Anisa G.Dizdari është realizuar shitja e kuotave të 75% të kapitalit të shoqërisë nga ortaku i vetëm E. Meta në favor të zotit M. Petriti.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet lidhur me procedimin penal nr.75, datë 27.04.2023, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 258/2 dhe 259/2, të Kodit Penal.

Po kështu, Prokuroria e Posaçme mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga shtetasi Belind Këlliçi, ka rregjistruar procedimin penal nr.121, datë 23.05.2023. Të dy procedimet penale janë bashkuar në një procedim penal të vetëm, të numërtuar me nr.75 viti 2023.

Lidhur me këtë procedim penal, për një periudhë disa mujore dhe në mënyrë të pandërprerë, janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ku janë përfshirë administrimi dhe verifikimi i informacioneve nga burimet e hapura, kryerja e veprimeve hetimore proaktive, kryerja e kontrolleve të vendeve dhe kontrolleve të personave, sekuestrime të provave materiale, administrimi i dokumentacionit të një sërë procedurash prokurimi, kryerja e ekspertimeve teknike e kompjuterike, shqyrtimi dhe analizimi i të gjitha provave dhe dokumenteve të administruara.

Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit R.M. dhe M.Q. janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Shtetasit R.M. dhe M.Q. e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktiv në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore.

Së pari, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që shtetasi R.M. ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a.

Në këto procedura prokurimi shtetasi R.M. ka patur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Njësisë së Prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (duke caktuar në katër raste si anëtar të këtij komisioni shtetasin M.Q. që është ortaku tjetër indirekt i shoqërisë), ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes, si dhe ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me shoqërinë tregtare në zotërim të tij.

Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës që shtetasi M.Q. ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) procedura prokurimi. Në këto procedura prokurimi shtetasi M.Q. ka patur cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qënë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për shoqërinë tregtare në zotërim të tij.

Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në disa procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë.

Janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi T.T. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe shtetasit E.P., J.Z. dhe A.J. në cilësinë anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në disa procedua prokurimi, e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar këtij subjekti tregtar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik. Ekzistojnë dyshme të bazuara se shtetasi T.T. ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe ka favorizuar këtë shoqëri tregtare duke ditur se cilët persona kanë qënë zotëruesit indirekt të aksioneve të shoqërisë.

Së katërti, janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se shtetasja E.Z. në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja E.Z. ka pasur komunikime direkte me shtetasin N.M. administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.

Së pesti, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se shtetasja D.K. në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja D.K. ka pasur komunikime direkte me shtetasin N.M. administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i dhënë titullari i autoritetit kontraktor shtetasit N.M user-at e anëtarëve të KVO-së.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr.28, datë 28.03.2024, ka vendosur:

1. Caktimin ndaj personit nën hetim R.M. të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 (shtatë) raste, nga këto 4 (katër) raste të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer në 5 (pesë) raste, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.

2. Caktimin ndaj personit nën hetim M.Q. të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 4 (katër) raste, të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.

3. Caktimin ndaj personit nën hetim T.T. të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

4. Caktimin ndaj personave nën hetim E.P. të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

5. Caktimin ndaj personit nën hetim J.Z. të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

6. Caktimin ndaj personit nën hetim A.J. të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.

7. Caktimin ndaj personit nën hetim N.M. të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.

8. Caktimin ndaj personit nën hetim E.Z të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga nenet 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, në Bashkisë Tiranë, e dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.

9. Caktimin ndaj personit nën hetim D.K. të masave të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në “Klubin Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal. /Pamfleti

Lini një Përgjigje