
Sot do të mbahet seanca e radhës për çështjen ‘Gërdeci’, e cila pritet të nisë në orën 9:00.
Kujtojmë se në seancën e kaluar, ish-ministri Fatmir Mediu refuzoi t’iu përgjigjej pyetjeve të prokurorëve të SPAK në cilësinë e të pandehurit.
Ai bëri një deklaratë në Gjykatë ku tha se do tu përgjigjej vetëm pyetjeve të avokatëve dhe në atë fazë edhe prokurorët sipas tij kanë të drejtë të bëjnë pyetje. Sipas përfaqësuesve të organit të hetimit, ky quhet refuzim nga ana e Mediut.
Po ashtu edhe ish-drejtori i Logjistikës, Dashnor Caushi, ka refuzuar të japë dëshminë e tij në seancën e kaluar. Dashnor Caushi, bashkë i pandehur i dënuar me 3 vite burg për shpërdorim detyre, nuk pranoi të fliste duke shfrytëzuar të drejtën që ia njeh ligji. Në këto kushte prokurorët kërkuan të lexoheshin disa thënie të tij bërë në procesin e mëparshëm ku ai ishte dënuar.
Ndërkohë mënyra e pyetjes së 5 dëshmitarëve amerikanë në procesin ndaj ish-ministrit, Fatmir Mediu, në Gjykatën e Posaçme përplasi prokurorët e SPAK me avokatët e të pandehurit.
Prokurorët e SPAK kërkuan që pyetja të bëhej përmes letër-porosive, pasi sipas tyre pyetja përmes video-konferencës ishte e vështirë, për arsye teknike, por edhe për shkak të diferencës orare mes dy vendeve.
Ndërsa avokatët e Mediut, por edhe avokati i familjarëve të viktimave, kërkuan pyetje përmes video konferencës. Sipas avokatëve, vetëm në këtë mënyrë pyetja e dëshmitarëve do të ishte shteruese.
Lini një Përgjigje