
Sot jepet pretenca për çështjen e Gërdecit, ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Mësohet se Zamira Durda ka kërkuar që të bëhet palë në procesin ndaj Mediut.
Gjykata e Posaçme më herët nuk pranoi që familjarët e viktimave të Gërdecit të ishin pjesë e procesit. Seanca është parashikuar të nisë në orën 14:00, ku prokuroria do të lexojë konkluzionet përfundimtare për Mediun që e ka marrë të pandehur për dy vepra penale.
Ndaj ish ministrit Mediu SPAK ka ngritur akuzë për dy vepra penale, “shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigatës së Tankeve’, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.
Prokuroria thotë se këto akte në lidhje me shitjen dhe çmontimin e një sasie municioni “kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.”
Lini një Përgjigje