Seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit është shtyrë sërish.
Mësohet se seanca e radhës do të zhvillohet me 7 qershor. Data është caktuar nga GJKKO për shkak se të dy avokatët mbrojtës të Mediut nuk ishin të pranishëm në seancë.
Këto të fundit i kishin paraqitur një kërkesë sekretarisë të Prokurorisë së Posaçme se nuk do jenë të pranishëm në seancë.
SPAK ka dërguar për gjykim ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Posaçme ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për dy akuza; atë të shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarakë, kuadër komandues.
Fatmir Mediu është marrë dhe më herët i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme, por në vitin 2009 kur dosja e tij penale po gjykohej në Gjykatën e Lartë për shkak se ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ligji i kohës parashikonte se ndjekja penale apo gjykimi nuk mund të vazhdonte dhe vendosi ta pushonte çështjen.
Me krijimin e SPAK ishte Zamira Durda, nëna e një fëmije të mitur që gjeti vdekjen në Gërdec, e cila kërkoi rihetimin e çështjes dhe gjykimin e Mediut, pasi sipas saj për tragjedinë e Gërdecit nuk është bërë drejtësi. Prokuroria e Posaçme duke mos qenë kompetente në krye të herës për të hetuar këtë çështjes, përderisa kishte një vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë iu drejtua Gjykatës dhe shkalla e parë e rrëzoi prokurorinë për rihapjen e kësaj dosje.
Ishte Apeli i Posaçëm i cili i hapi dritën jeshile hetimit të dosjes Gërdeci dhe tashmë Prokuroria e Posaçme e ka përfunduar hetimin sa i përket ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe e dorëzoi në Gjykatë dosjen penale duke argumentuar se mburoja e imunitetit kishte rënë dhe nuk kishte asnjë pengesë që Mediu të gjykohet për dy vepra penale.
Lini një Përgjigje