
Saimir Sulaj në ngjarjen tragjike të 25 korrikut 2016 humbi nënën e tij, Sanien. Në repartin e Dializës te Spitalit Amerikan ra zjarr dhe ngjarja u tentua të fshihej.
Sot, pas 7 vitesh nga tragjedia te reparti i dializës, frika për përsëritjen e një ngjarje të tillë ekziston mes pacientëve.
Tashmë reparti i hemodializës në spitalin amerikan numër 2, është vendosur në garazhdin e godinës, në katin -2 ku janë dy ambiente me kapacitet 29 pacientë.
‘Salla e madhe është me 23 krevatë, e vogla me 6 krevate’- u shpreh Isa Muhadri, pacient me dializë.
Kushtet mbeten skandaloze, nuk ka dritare për ajrosje, tubat e shkarkimit të të gjithë godinës janë mbi kokat e pacientëve. Në këtë ambient, ku përveç pacientëve janë edhe të pakten 15 punonjës që ofrojnë shërbimin nuk ka një tualet.
“Kushtet janë skandaloze, garazhdi i makinave është kthyer në pavion dialize, 25 veta në një dhomë, 15 janë personel, nuk ka një tualet… Një pavion që të zihet fryma. Nuk ma merr mendja që ai mjek që ka hedh firmën për ta kthyer ne pavion dialize atë abient e sjell aty vëllain, nënën, apo motrën. Të rrish 4 orë pa e parë dritën e diellit, kanë vendosur dritare fallco. Të gjitha shkarkimet e tubave bëhen në garzhdin e makinave të gjithë tubat i kemi sipër kokës’- u shpreh Isa Muhadri, pacient me dializë
Gjendja aktuale e repartit ku ofrohet dializa në spitalin privat nxjerr zbuluar shkeljen e kritereve të përcaktuara në kontratën konçesionare. Aty përcaktohej qartësisht se shërbimi duhej të kishte 4 dhoma të ndara.
Dhomat e hemodializës janë 4, të vendosur përgjatë korridorit. Dhomat kana kapacitet 10, 6, 8, 5 shtretër, të pajisur me panel prizash dhe dalje oksigjeni për secilin, ka nga një kënd infermieror me një tavolinë pune dhe një karrocë mjekimi, si dhe në njërën nga dhomat ka një aparat defibrilatori portabël. Pranë dhomavendodhet edhe blloku i nyjeve higjeno-sanitare për pacientët, të ndara sipas gjinive. Blloku ka të përfshirë dy dhoma zhveshje pacientësh me dollape garderobë.
Sipas protokollit të dializës çdo pacient që merr shërbimin duhet të trajtohet me dietë ushqimore të personalizuar në varësi të gjendjes klinike.
“Ushqimi është i njëjtë prej 4 vitesh nuk ka ndryshuar, dhe për të gjithë është njëlloj”, u shpreh Isa Muhadri, pacient me dializë.
Duke qenë e rëndësishme për terapinë, dieta ushqimore është parashikuar në kontratën koncesionare që rezulton se është shkelur rëndë nga kompania koncesionare DiaVita. Kjo, është konstatuar edhe nga auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
U vërejt se, për të gjithë pacientët ofrohej e njëjta dietë ushqimore e pa personalizuar për çdo pacient, ndonëse kontrata e koncesionit në Aneksin 8 ka të përcaktuar që dietologu do të punojë më kohë të pjesshme në çdo qendër.
Pra, këto shkelje të konstatuara, rrezikojnë rëndë një pacient si Arditi 34-vjeçar. Ai ka sëmundje bashkëshoqëruese dhe ushqimi i tij duhet të jetë i diferencuar.
Arditi ka kaluar 3 herë vdekje klinike në Fier, para se të zhvendosej në Tiranë për një shërbim më të specializuar. Por, auditimet zyrtare zbulojnë mangësitë në qendrat e dializës së kompanisë DiaVita, që rrezikojnë jetën e pacientëve. Aty nuk janë të pranishëm mjekët specialist gjatë terapive.
Në të pesë qendrat e hemodializës, mjeku nefrolog është i punësuar me kohë të pjesshme po kështu në disa raste edhe mjeku i përgjithshëm, ka mosplotësim të numrit të punësimit për mjekët e përgjithshëm, nuk është plotësuar asnjë qendër me një mjek si: endokrinologë, gastrohepatologë, dietologë, teknikë laborant.
Jeta e pacientëve me sëmundje bashkëshoqëruese është edhe më e vështirë. Në shumë raste fatura e medikamenteve bëhet e papërballueshme. E tillë është familja e Ladimir Gjikës, i cili është baba i 4 fëmijëve.
Dy janë autikë, ndërsa djali 15-vjeçar është në dializë. Adoleshenti ka edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Fatura mujore për trajtimet e tij shkon plot 50 mijë lekë të reja. /Inside Story
Lini një Përgjigje