
Nga një garë e ndezur një vit me parë me akuza, kërcënime dhe tone nacionaliste, zgjedhjet e sotme në Himarë ishin nën një “qetësi” pothuajse totale.
Pas betejës 15 mujore që nisi me arrestimin e Fredi Belerit dhe që pasoi me një sagë të gjatë përplasjesh dhe akuzash politike si brenda ashtu dhe jashtë vendit, Himara më në fund ka vendosur se kush do të jetë kryebashkiaku i saj i ri.
Ditën e sotme mbi 8 mijë himarjotë kanë hedhur në kutitë e votimit vullnetin e tyre për kandidatin i cili do t’i udhëheqë në krye të Bashkisë së Himarës.
Me një histori tipike si ajo e “qimes që bëhet tra”, çështja e Himarës bëri jehonë deri në Parlamentin Europian, sigurisht me shtysën e fqinjëve tanë në Athinë, që ishin mbështetësit kryesor të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri.
Krejt pa papritur e pa kuptuar, Himara u kthye në “fushëbetejë” e cila do të përdorej për më shumë se 1 vit, nga të dy anët e kufirit për kredo politike nga dy kryeministra, që për interesat e tyre e mbajtën çështjen të pompuar.
14 muaj më vonë, tonet mes Tiranës dhe Athinës zyrtare u ulën sikur të mos kishin ekzistuar fare, kur kryeministri Edi Rama u takua me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian, i cili u mbajt në Britaninë e Madhe një muaj më parë.
Në atë takim dyshohet se u arrit “pakti për Himarën” mes Ramës dhe Mitsotakis. Një marrëveshje e cila u pasqyrua edhe gjatë fushatës së shkurtër elektorale që u bë për Himarën, por edhe ditën e sotme gjatë procesit të votimit.
Nga një garë e ndezur një vit me parë me akuza, kërcënime dhe tone nacionaliste, zgjedhjet e sotme në Himarë ishin nën një “qetësi” pothuajse totale. Mesa duket kandidimi i dy figurave “filo-greke” si Perto Gjikuria dhe Vangjel Tavo, ishte “pakti” që kënaqi Athinën zyrtare, e cila përkundrazi nga 15 muaj më parë, nuk u ndje fare në këto zgjedhje.
Pakti Rama- Mitsotakis duket se u pranua edhe nga opozita e cila në deklarata e saj sot ende pa u mbyllur votimi, nëpërmjet akuzave dukej se pranonin humbjen e kandidatit të tyre./Pamfleti
Lini një Përgjigje