
Ka përfunduar orari zyrtar i votimit në Himarë. Në orën 19:00 janë mbyllur të 36 qendrat e votimit dhe pritet që së shpejti të nisë procesi i numërimit të votave, si dhe të dalin projeksionet e para.
Brenda pak orësh pritet të marrë fund saga e kryebashkiakut të Himarës që nisi me arrestimin e Fredi Belerit dhe më pas edhe të kryetarit në detyrë, Jorgo Goro.
Një histori e zgjatur në një hark kohor të më shumë se një viti dhe që solli përplasje dhe akuza politike si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Rezultati i zgjedhjeve mbrëmjen e sotme pritet që t’i japin zgjidhje një beteje 15 mujore për të parin e himarjotëve. 23 mijë zgjedhës me të drejtë vote kishin mundësinë për të zgjedhur mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo të socialistëve dhe Petro Gjikuria të opozitës.
Në orën 19:00 janë mbyllur të 36 qendrat e votimit dhe pritet që së shpejti të nisë procesi i numërimit të votave, si dhe të dalin projeksionet e para. Aktualisht po votojnë ende personat të cilët ishin në rradhë para përfundimit të orarit zyrtar.
Sipas informacioneve nga KQZ-ja, në procesin e votimit deri në orën 18:00 kanë marrë pjesë 36,68 për qind, ose 8394 votues. Një pjesmarrje rreth 3 për qind më e lartë se ajo e vitit të shkuar.

Ndërkohë që 6 mijë zgjedhës në Himarë nuk arritën të ushtrojnë të drejtën për të votuar për shkak se karta e tyre e identifikimit kishte skaduar. Shifrën e konfirmoi edhe komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Pikërisht për këtë çështje, opozita ka ngritur akuza ndaj mazhorancës dhe KQZ-së, për moslejimin e ushtrimit të së drejtës për të votuar për ata qytetarë kartat ID të të cilëve kishin skaduar.
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka pasur pretendime se kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo, ka shtuar zgjedhës fiktivë.
Gjithashtu deputeti i PD-së, Flamur Noka ka hedhur akuza të forta ndaj mazhorancës, duke deklaruar se kanë paguar deri në 500 euro për një votë.
Përveç akuzave të opozitës, pjesa tjetër e procesit nuk ka pasur incidente apo nuk janë raportuar parregullsi./Pamfleti
Lini një Përgjigje