
Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, gjatë një vizite zyrtare në Korçë, ka dhënë një deklaratë të fortë politike që përforcon mbështetjen ndërkombëtare për SPAK dhe reformat e drejtësisë në vend. Duke folur për mediat, Suard theksoi se Franca dhe Bashkimi Europian e shohin SPAK-un si “rezultatin emblematik të reformës shqiptare në drejtësi” dhe si një institucion që tashmë ka hyrë në fazën e bashkëpunimit të plotë me sistemet gjyqësore të vendeve të BE-së.
“SPAK është një mjet i jashtëzakonshëm i cili është zhvilluar shumë dhe sot jep një indikator të rëndësishëm ndaj sistemeve tona të drejtësisë. Nuk është vetëm një institucion që merr informacione nga jashtë, por tashmë është partner i plotë në bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar”, u shpreh ambasadorja franceze, duke shtuar se ky rezultat varet edhe nga drejtimi që merr institucioni pas ndryshimeve të fundit në krye të SPAK.
Në lidhje me raportin e fundit të Këshillit të Europës për Shqipërinë, Suard e vlerësoi si “shumë pozitiv” dhe si dëshmi të qartë të progresit që ka bërë vendi. “Raporti ishte pozitiv dhe tregoi progresin e paprecedentë që është bërë deri tani. Ajo që është e qartë, është se kjo qasje duhet të vazhdojë. Duhet të inkurajohen reformat dhe të zbatohet ligji në praktikë. Shqipëria është në gjendje të arrijë objektivat e saj dhe ne jemi në dispozicion për ta ndihmuar,” theksoi ajo.
Ambasadorja franceze ndaloi edhe tek çështja e barazisë gjinore, duke theksuar se “mosdiskriminimi dhe barazia e gjinive janë vlera themelore të Bashkimit Europian dhe të diplomacisë franceze”. Sipas saj, çdo reformë duhet të mbrojë të drejtat njerëzore dhe të garantojë respektin për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë apo gjinisë.
Lini një Përgjigje