TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet31 Dhjetor 2025, 14:32

“Fishekzjarret dhe kapsollat të rrezikshme”, Brataj këshillon qytetarët: Kujdes me alkolin, Urgjencat në gadishmëri

Shkruar nga Pamfleti

“Fishekzjarret dhe kapsollat të rrezikshme”, Brataj

Në prag të ndërrimit të viteve, Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, paralajmëron për rreziqet që vijnë nga përdorimi i fishekzjarreve dhe kapsollave, ndërsa siguron se të gjitha shërbimet e urgjencës do të jenë të hapura dhe të përforcuara gjatë natës së Vitit të Ri.

Në një intervistë për Report TV, Brataj bëri të ditur se janë marrë masa shtesë për përballimin e fluksit të pritshëm të emergjencave.

“Urgjencat do të jenë të gjitha të hapura. Do të ketë masa përforcuese, shtim të ekipeve, personelit, medikamenteve, materialeve dhe mjeteve të nevojshme”, tha Brataj.

Sipas tij, përforcimi i shërbimit lidhet edhe me rritjen e numrit të personave që ndodhen aktualisht në Shqipëri, çka sjell më shumë qarkullim dhe rrezik aksidentesh.

“Shtohet numri i njerëzve dhe automjeteve dhe kjo rrit mundësinë e aksidenteve. Jemi në ndërrimin e viteve dhe kemi një problem të shtuar me mjetet piroteknike, fishekzjarret dhe kapsollat”, theksoi ai.

Brataj paralajmëroi se fishekzjarret dhe kapsollat mund të shkaktojnë trauma, djegie, panik dhe dëmtime serioze, deri edhe humbje të shikimit.

“Ato mund të shkaktojnë trauma, djegie, panik dhe dëmtime të tjera, deri në humbjen e shikimit nëse shpërthejnë në sy. Për këtë arsye kemi në gatishmëri të gjitha urgjencat, sidomos Spitalin e Traumës”, u shpreh drejtori i Urgjencës Kombëtare.

Ai shtoi se temperaturat e ulëta dhe ngricat rrisin rrezikun e rrëzimeve dhe traumave, të cilat kërkojnë ndërhyrje të shpejtë mjekësore.

Një tjetër apel i fortë i Brataj ishte edhe për përdorimin e alkoolit, sidomos në kombinim me medikamente apo lëndë narkotike

“Njerëzit duhet të kenë kujdes me përdorimin e alkoolit, sidomos kur përzihet me medikamente apo drogë, pasi shkakton dëmtime të mëdha dhe rrezikon jetën. Nëse përdoret alkool, nuk duhet drejtuar mjeti”, paralajmëroi Brataj.

Sipas tij, përforcimi i shërbimeve shëndetësore është bërë me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i cili është përcjellë në të gjitha strukturat mjekësore në vend.

Duke krahasuar situatën me vitet e kaluara, Brataj tha se qytetet me numrin më të lartë të thirrjeve në urgjencë, përveç Tiranës, janë Korça, Vlora, Shkodra dhe zonat turistike, ku ka prani të lartë emigrantësh. Nën monitorim të veçantë janë edhe akset rrugore që lidhin këto qytete me Tiranën.

“Momenti më kritik mbetet ora 12 e natës”, përfundoi Brataj.

brataj viti i ri masat

Lini një Përgjigje