
Një 52-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës dhe një tjetër është proceduar penalisht pasi komunikonin për shit-blerje votash për Partinë e Lirisë.
Uniformat blu bëjnë me dije se i arrestuari është Kristo Agalliu i cili po bisedonte me 61-vjeçarin Agron Duro, ku ky i fundit i thoshte se do të sillte votues nga Kuçova drejt Tiranës kundrejt 150 mijë lekëve të vjetra për 4 vota, nga të cilat 50 mijë lekë do të përdoreshin për naftë.
"100 mijë lekë është turp. ia marrim por është turp 100 mijë lekë. Ti 2 vota ke, unë kam 4 vota. Po mirë unë kam makinë vetë, c’e dua makinën atje. Të më hedhë karburantin ai. E ul pazarin nga e keqja. 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë. Pazari i fundit", thotë banori.
Policia bazuar në pamjet filmike të postuara në portale, në të cilat shfaqet Kristo Agalliu, që komunikon për shit-blerje votash me Agron Duraj ka vepruar duke vënë në pranga 52-vjeçarin.
"Arrestohet në flagrancë një shtetas, si dhe procedohet penalisht një tjetër, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, komunikonin për shit-blerje votash për një subjekt politik.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e çdo paligjshmërie, bazuar në pamjet filmike të postuara në portale, në të cilat shfaqet një shtetas që komunikon për shit-blerje votash, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Premtuesi”.
Si rezultat, u bë arrestimi i shtetasit K. A., 52 vjeç, banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 61 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas janë shfaqur në një video, duke komunikuar me njëri-tjetrin, për shit-blerje votash për një subjekt politik. Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje