Ky ndërtues me dy dosje penale për korrupsion, fshehje të ardhurash e pasurish dhe pastrim të parave të krimit e korrupsionit bashkë me Jamarbër Malltezin; ka ortakëri në 2 kompani të huaja, me shtetas gjermano-austriakë dhe me ndërtuesin Pandeli Carapuli, mik i Bablokut...
I pandehuri Fatmir Bektashi, ndërtues i 10 komplekseve me vila e pallate, i 17 kullave me Jamarbër Malltezin dhe i 1 kompleksi me pallate në Drilon, përveçse nga SPAK, është subjekt hetimi edhe nga drejtësia gjermane, vend ku ai është shtetas.
Pikënisje për hetimin e Fatmir Bektashit në Gjermani, është bërë indicia e marrjes së tij të pandehur nga SPAK me “Detyrim paraqitje”, për aferën e kullave te ish-kompleksi “Partizani”, të dhënë si truall me vendim qeverie nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Gjemanët e thelluan hetimin pas datës 10 shkurt 2025, kur shtetasi gjerman Fatmir Bektashi, u mor për herë të dytë i pandehur me “Detyrim paraqitje” e të mos dalë nga Shqipëria.
Hetimet që kryen hetuesit e BKH dhe prokurorët e SPAK, zbuluan se ndërtuesi Fatmir Bektashi kishte tranferuar 16 milionë Euro, ndërkohë që në bilancet e dy kompanive “Kontakt” e “Homeplan”, kishte deklaruar nga 1 deri në 6 milionë, të cilat i kishte ri-investuar në ndërtime.
Mbështetur në këtë mos-përputhje mes fitimeve të dekaruara dhe transferës 16 milionë Euro në Gjermani, SPAK i kërkoi partnerëve atje, të verifikonin llogaritë bankare, lëvizjet financiare dhe vlerën e pasurive të paluajtshme, që Fatmir Bektashi e familjarët kanë në Gjermani.
Sipas informacionit, partnerët gjermanë kanë vënë në dijeni SPAK-un, se Fatmir Bektashi me aktivitet ndërtues në Shqipëri, ka transferuar 130 milionë Euro në Gjermani, shumicën nëpërmjet rrugëve të ndërmjetme jo bankare; 83 milionë Euro prej të cilave, në trajtë investimesh në kompani personale, gjermane e të huaja dhe në 15 pasuri të paluajtshme atje.
Sipas hetimit të BKH, në datën 25 tetor 2022, vetëm 3 ditë pasi Fatmir Bektashi u njoftua të paraqitej në SPAK për tokën e kullave te ish-kompleksi “Partizani”; ndryshoi formën pronësore kompanisë “Homeplan”, nga “Shoqëri shqiptare”, në “Shoqëri e përbashkët shqiptaro-gjermane”, duke i dhënë 70% pronësi një firme gjermane, por pa e deklaruar në QKB.
Pas ndryshimit të formës së pronësisë me tjetërsim aksionesh në Gjermani, kompania “Homeplan” me 6.9 milionë Euro fitim; befasisht u deklarua me 400 mijë Euro kapital nëpërmjet bilanceve false, por SPAK sekuestroi vetëm 45% aksione të Jamarbër Malltezit.
Ndërsa më 3 tetor 2023, katër ditë para se SPAK të sekuestronte kompjuterët e kompanisë “Homeplan”; këta e kaluan kompaninë në likujdim 100%, me likuidues vetë Fatmir Bektashin.
Deri tani, ka indicie se pjesë e manipulimeve financiare, që ka bërë Fatmir Bektashi në Shqipëri e Gjermani, janë dhe kompania “Bernard Engineers”, ku ai ka 22.5% të pronësisë; 22.5% i ka Pandeli Carapuli, miku oligark i Bablokut dhe 55% i ka shtetasi gjerman Jost Hendrik Mazur.
Në këtë lojë, ka prova se është përfshirë dhe kompania “Swarco”, ku Fatmir Bektashi ka 23.5%, Pandeli Carapuli 25/5%, ndërsa shtetasi gjermano-asutriak Gunther Kofler ka 51% të pronësisë.
Këtë kompani e kanë ç’regjistruara, pasi tatimet shqiptare, me kërkesë të homologëve austriakë, urdhëruan sekuestrimin e saj, por kjo kompani vazhdon akvitetin ilegalisht në Shqipëri edhe si agjenci transfertash financiare jo bankare.
Megjithëse ndërtuesi Fatmir Bektashi, është dy herë i pandehur me “Detyrim paraqitje”, për fshehje të ardhurash dhe pastrim parash të korrupsionit e grupeve mafioze; SPAK nuk po heton burimet financiare të komplekseve “Mangalem 21”, “Marga”, “Magnet”, “Kaimi”, “Kadiu”, “OXA”, SiRi”, “ABI” e “Nokia” në Tiranë e kompleksit të ri në Drilon të Pogradecit./Pamfleti
Lini një Përgjigje