
Rektori i universitetit Fan Noli të Korçës, Dhimitër Bello ka bërë me dije se senati i këtij universiteti vetëm ka vendosur bashkimin e universitetit të Korçës me atë të Tiranës, vendim ky që sipas tij është votuar 100% nga pedagogët e këtij senati.
Në një konferencë për mediat, Bello thotë se logoja e universitetit të Korçës do të mbetet pavarësisht bashkimit me universitetin e Tiranës.
Sipas tij, ky vendim është marrë për shkak të situatës të rëndë të krijuar në universitetin e Korçës, i cili nga viti në vit kishte një numër më të vogël studentësh.
Në vijim, Bello është shprehur se gjatë kësaj periudhe janë bërë të gjitha përpjekjet për marrëveshje dhe ndërkombëtarizim të këtij universiteti, por deri tani nuk është arritur një gjë e tillë.
Në këto kushte, e vetmja rrugëzgjidhje sipas senatit ishte bashkimi me universitetin e Tiranës.
I pyetur për vendimmarrjen që do ti mungojë këtij universiteti, Bello tha se në senatin e universitetit të Tiranës do të jenë edhe përfaqësuesit e universitetit të Korçës.
Ndërsa në lidhje me ruajtjen e programeve ekzistuese dhe mbajtjen në punë të të gjithë pedagogëve, rektori nuk e ka përjashtuar mundësinë e frikës së pedagogëve për tu përballur tashmë me nivelin e pedagogëve të Tiranës dhe gjithashtu me pedagogë të huaj në rast ndërkombëtarizimi.
Lini një Përgjigje