Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës një prej viktimave të protestës së 21 janarit 2011, ka mbërritur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku pritet të zhvillojë një takim me kryeprokurorin Klodian Braho.
Në fokus të këtij takimi është ecuria e hetimeve për dosjen e 21 janarit, e cila aktualisht po hetohet nga SPAK.
Familjarët e viktimave kanë kërkuar vazhdimisht që hetimet të jenë të plota, transparente dhe të çojnë në vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, pavarësisht nivelit të tyre në hierarkinë shtetërore.
Ngjarja e 21 janarit 2011 konsiderohet një nga episodet më të rënda në historinë politike të Shqipërisë pas viteve ’90. Gjatë një proteste të zhvilluar para Kryeministrisë, humbën jetën katër qytetarë: Aleks Nika, Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj.
Protesta u organizua nga opozita e asaj kohe kundër qeverisë, ndërsa përplasjet mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë degjeneruan në përdorimin e armëve të zjarrit nga Garda e Republikës.
Lini një Përgjigje