
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zhvilluar një takim me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Muhammed Bin Zayed Al Nahyan.
Në një reagim në rrjete sociale, ministri Taulant Balla i falenderoi për mikpritjen, ndërsa bëri të ditur se në takim u diskutua për marrëveshjen për ngritjen e taskforcës kundër krimit të organizuar të dakordësuar mes dy ministrave të brendshëm.
“Shumë i nderuar nga miqësia dhe mikpritja në mexhlisin Qasr Al Bah nga Lartësia e Tij Presidenti i Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed Al Nahyan, të cilit i përcolla përshëndetjet e Kryeministrit Edi Rama dhe urimet për prosperitet të vazhdueshëm të Emirateve dhe të popullit të vet. Lartësia e Tij Presidenti i EBA shprehu përshëndetjet e tij më të mira për Kryeministrin dhe urimet për vendin e popullin tonë për të vijuar progresin”, thekson Balla.
Balla theksoi se në fokus të takimit ka qenë zgjerimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e policisë dhe të sigurisë.
“Në takim u diskutua mbi marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushat e policisë dhe sigurisë. Mundësitë për të përfituar nga ekspertiza dhe eksperienca e EBA në këto fusha u diskutuan në kuadër të Marrëveshjes mes Shqipërisë dhe EBA, si dhe të taskforcës së Bashkëpunimit të dakordësuar mes dy ministrave të brendshëm”, vijoi Balla.
Të pranishëm gjatë takimit ishin edhe Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princi i Kurorës Abu Dhabi; Sheikh Suroor bin Mohammed Al Nahyan; Sheikh Saif bin Zayed Al Nahyan, zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm dhe Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, ministër i Punëve të Jashtme.
Lini një Përgjigje