Ndërsa Lindja e Mesme digjej, Ivanka Trump bëhej turiste në Sazan dhe Shqipëria bëhej pronë e luksit amerikan...
Në kulmin e krizës më të rrezikshme ndërkombëtare të dekadës, një konflikt i orkestruar mes Izraelit dhe Iranit, ku SHBA ndërhyn me bunker-buster dhe Irani lëshon raketa me “miratimin paraprak” të Katarit, vajza e presidentit amerikan, Ivanka Trump, zgjodhi të jetë diku tjetër: në Vlorë, duke drekuar me Jared Kushnerin në një nga gjiret më të qeta të Mesdheut dhe duke bërë safari me Jeep në ishullin Sazan, ku tashmë pritet të investojnë mbi një miliard dollarë për një resort luksoz.
Për një njeri që vjen nga gjaku i një presidenti që sapo firmosi paqen e improvizuar më të turpshme të kohëve moderne, ky moment është shumë më tepër se një rastësi. Ndërsa Trump akuzonte Izraelin për bombardime “jashtë skenarit” dhe urdhëronte paqe me CAPS LOCK, vajza e tij vizitonte një ishull që ndoshta, për shumë shqiptarë, do të mbetet një simbol i pushtimit me viza të bardha.
Ivanka e quajti projektin e saj në Sazan si “të jashtëzakonshëm”, ndërsa Jared e cilësoi si “thesarin” e tyre. Një vend që për dekada ka qenë i mbyllur, me bunkere të epokës komuniste, me rrugë që çojnë në “Gjirin e Djallit” e “Grykën e Ferrit”, sot po shndërrohet në një arenë luksi ku të pasurit do të bëjnë yoga mbi minat e pashpërthyera.
Ironia është e plotë. Ndërsa Irani dhe Izraeli llogarisin shënjestra dhe pasoja, ndërsa diplomatët amerikanë bëjnë llogaritë me kufomat dhe fushat elektorale, Ivanka dhe Jared përgatisin terrenin për një “mekë të turizmit ultra-luksoz” në një nga pikat më të ndjeshme të Mesdheut. Dhe ndërsa Tirana hesht, Sazani shndërrohet në metaforën më të qartë të diplomacisë shqiptare: jep tokë, mbyll sy, prano emra të rinj për vende të vjetra.
Sot shqiptarët e quajnë “Ishulli i Trumpëve”. Një emër që s’e ka shpikur as historia, as gjeografia. Por për fat të keq, po e shkruan realiteti./Pamfleti
Lini një Përgjigje