
Bregdeti andaluzian në Spanjë, është një parajsë por me një anë të errët: atje veprojnë 113 grupe kriminale nga 59 vende të botës, aktive në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Pas shpinës së turistëve të pavëmendshëm, dhuna dhe vrasjet ndjekin njëra-tjetrën nga përplasjet midis mafies kolumbiane, meksikane, italiane, shqiptare etj...
E quajnë Costa del Sol (Bregu i Diellit), por kur mbi Andaluzi bie nata, ky rrip toke i famshëm dhe shumë i dashur nga turistët, shndërrohet në një nga strehat më të errëta të krimit të organizuar. Dhuna dhe vrasjet, po e përmbysin gjithnjë e më shumë rendin natyror të gjërave, ose të paktën atë në imagjinatën tonë, e cila sheh vetëm plazhe magjike, vendpushime luksoze dhe turizëm masiv.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet spanjolle, vetëm në 5 muajt e parë të vitit 2025, ndodhën 11episode të përgjakshme midis Fuengirola, Marbella dhe qyteteve të tjera bregdetare, me 5 të vrarë dhe 10 të plagosur. Dhe kjo sepse Costa del Sol është bërë ‘shtëpia’ e mafias dhe klaneve të ndryshme.
Policia ka identifikuar të paktën 113 grupe kriminale nga mbi 59 vende të botës. Grupet kriminale britanike, irlandeze, afrikano-veriore, ballkanike dhe amerikane-jugore, po konkurrojnë për kontrollin e rrugëve të drogës dhe pastrimin e të ardhurave të paligjshme.
Ky vend është zgjedhur për shkak të një pozicioni gjeografik shumë të favorshëm për trafikun e drogës: disa milje detare nga Maroku - prodhuesi më i madh i kanabisit në botë, me Ceuta-n dhe Melillan si degë të tij - dhe më pak se një orë larg nga Campo de Gibraltar, një nga pikat kryesore të mbërritjes së kokainës në Evropë nëpërmjet portit të Algeciras.
“Kolonizatori” i parë për punët e pista të krimit të organizuar ishte Don Raffaele Cutolo, që në mesin e viteve 1970 u vendos aty me një grup sipërmarrësish të Camorra-s, që donin të pastronin të ardhurat e paligjshme të drogës, duke investuar shumë në pasuri të paluajtshme dhe turizëm.
Ata u bënë milionerë, dhe që nga ajo kohë Costa del Sol ka mbetur në duart e grupeve të investitorëve të dyshimtë, ndërsa aktiviteti kriminal është shtrirë në të gjithë jugun e Spanjës. Dhe pasojat nuk vonuan të shfaqeshin: përveç Camorra-s italiane, sot atje sundon mafia ruse, dhe e ashtuquajtura “Mafia Makro” me origjinë holandezo-marokene.
Prandaj, pas kartolinës së parajsës turistike andaluziane, fshihet një realitet shumë më i hidhur: krimi i organizuar në të gjithë Evropën Perëndimore ka zënë rrënjë dhe po përhapet. Prandaj janë të pashmangshme edhe gjurmët e dhunës, të cilat i kanë shtyrë autoritetet ta luftojnë krimin me mjete të reja dhe më efektive: siç është i ashtuquajturi Plani Marbella, që synon financimin e luftës kundër krimit transnacional, duke përfshirë praninë e përhershme të forcave të specializuara policore si Unidad de Intervención Policial (Uip) dhe Unidades de Policía Regional (Upr).
Për këto njësi, puna nuk mungon asnjëherë: incidenti i fundit i përgjakshëm ndodhi më 31 maj, kur një burrë i maskuar vrau 2 anëtarë të njohur të krimit të organizuar skocez brenda Monaghans Bar në Fuengirola (Malaga). Ata ishin Ross Monaghan, 43 vjeç, dhe Eddie Lyons Jr., 46 vjeç, figura kryesore të klanit Lyons.
Që të dy ishin të përfshirë në një konflikt të gjatë dhe të përgjakshme me grupin rival Daniel (një konflikt që zgjat prej 20 vjetësh), që është shoqëruar me një seri sulmesh të armatosura dhe zjarrvënie të lidhura drejtpërdrejt me incidente të ngjashme të raportuara në qytetet e Glasgout dhe Edinburgut.
“Niveli i krimit të organizuar, është rritur në mënyrë alarmante. Nuk mbaj mend një situatë kaq të rëndë”- thotë prokurori antidrogës në Malaga, Fernando Bentabol. Por masakra në Fuengirola, është vetëm një shenjë paralajmëruese e një problemi të përhapur.
Ndërsa në Marbella, në zemër të Costa del Sol, të dhënat tregojnë një rënie të krimit të zakonshëm, ka pasur një rritje marramendëse të krimeve dixhitale (+95 për qind në një vit) dhe ngjarjeve të përgjakshme të lidhura me krimin e organizuar.
Për këtë arsye, vetë kryebashkiaku Ángeles Muñoz ka kërkuar shtim të fondeve, duke nënvizuar se si presioni kriminal e tejkalon kapacitetin e reagimit të autoriteteve lokale. Në vitin 2024, vetëm provinca e Malagas regjistroi 20 vrasje të lidhura me krimin, një rritje prej 46.7 për qind krahasuar me 2023-shin.
Për të frenuar këtë valë krimi, qeveria spanjolle ka ndërhyrë drejtpërdrejt, duke njoftuar forcimin e menjëhershëm të sistemeve të mbikëqyrjes dhe inteligjencës, dhe duke kërkuar një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar, sidomos me Europolin dhe agjencitë antidrogë të Holandës, Britanisë së Madhe dhe Francës.
Sepse, problemi andaluzian nuk qëndron tek krimet e vogla. “Costa del Sol, është bërë sheshi i lojërave të mafies së re evropiane”- theksoi së fundmi gazeta e madhe El País, duke përmendur përdorimin në rritje të armëve, dronëve dhe madje edhe raketahedhësve.
Por kush është përgjegjës për këto ngjarje? Sipas hetuesve, Costa del Sol ka qenë për vite me radhë dhoma e pasme kriminale e Ndranghetës kalabreze. Pas vitrinave vezulluese të dyqaneve të Marbellës, Fuengirolas dhe Malagas, ekziston një univers i fshehur i përbërë nga dhjetëra ton kokainë dhe marrëdhënie të rrezikshme.
Por mbi të gjitha nga investime të dyshimta. Disa hetime evropiane, kanë zbuluar se Ndrangheta e sheh rajonin bregdetar të Spanjës si një terren të përsosur për të kthyer paratë e pista në kapital të ligjshëm. Sektori i pasurive të paluajtshme, ka qenë gjithmonë mjeti i preferuar për pastrim parash.
Vila luksoze, apartamente turistike dhe restorante blihen përmes parave të drogës, të pastruara paraprakisht nga kompani dhe llogaritë bankare jashtë vendit. Por Costa del Sol nuk është vetëm një investim i mirë për bosët kalabrezë. Ajo është gjithashtu një qendër për importimin e kokainës.
Portet spanjolle - nga Algeciras në Malaga - janë pika hyrëse për ngarkesat me pluhurin e bardhë nga Amerika e Jugut. Ndrangheta, falë rrjetit të saj ndërkombëtar, menaxhon drejtpërdrejt ose në partneritet me grupe të tjera - mbi të gjitha me shqiptarë dhe kosovarë - furnizimin me drogë që si destinacion Evropën./Pamfleti nga “Panorama.it”
Lini një Përgjigje