TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Prill 2025, 21:00

Atentate ndaj fëmijëve, dhunë në komisariate, arrestime policësh: ku është zhdukur Ilir Proda?

Shkruar nga Pamfleti
Atentate ndaj fëmijëve, dhunë në komisariate, arrestime
Ilir Proda

Policia zien nga skandalet dhe dështimet, vetëm Ilir Proda nuk e vë ujin në zjarr...

Më 17 prill 2025, Shqipëria u zgjua me krisma. Dy atentate të njëpasnjëshme tronditën opinionin publik. Në Lezhë u ekzekutua Gjovalin Prendi, baba i Rohan Brahimit, një ngjarje që ndodhi në mënyrën më brutale dhe e lënë ende pa përgjigje.

Po atë ditë, në një tjetër episod dhune, një fuoristradë luksoze G-Class u qëllua me armë zjarri pranë Lundrës, duke lënë të plagosur katër persona, mes tyre dy fëmijë. Dhuna kriminale nuk kursen askënd, as të rriturit, as fëmijët – të gjithë janë bërë pjesë e një realiteti të rrezikshëm, ku rendi duket luks i shkuar.

Ndërkohë që shoqëria përpiqet të kuptojë arsyet dhe autorët, drejtësia po lëviz nga një tjetër front. Më 19 prill, Prokuroria e Posaçme (SPAK) lëshoi urdhër-arreste për drejtuesin e Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, si dhe për dy zyrtarë të tjerë të lartë të rrugores: Edison Tabakun dhe Sokol Novakun. Të tre janë vendosur në arrest me burg me akuzën për korrupsion pasiv – konkretisht, për marrje ryshfeti me qëllim shmangien e ndalimit të një personi të përfshirë në një aksident.

Skandalet në polici, megjithatë, nuk ndalen me kaq. Një tjetër rast tronditës doli në dritë dje, ku një 14-vjeçar u denoncua se ishte arrestuar dhe më pas dhunuar në komisariat.

Pa përmendur shkarkimin e kupolës së Komisariatit Nr. 2, pas arrestimit të ish-policit Altin Morina – një figurë që përflitet për lidhje miqësore me... Ilir Prodën.

Kjo valë ngjarjesh dramatike ngre një pyetje themelore: ku është drejtori i Policisë, Ilir Proda? Emërimi i tij u bë me shumë bujë. Proda u zgjodh si figurë e re gjoja përmes një procesi konkurrues. Por duket se dhe ai doli flluskë sapuni.

Në një kohë kur institucionet duhen të komunikojnë, të sqarojnë dhe të marrin masa, kreu i policisë është zhdukur nga skena publike. Asnjë reagim për atentatet, asnjë deklaratë për korrupsionin brenda radhëve të veta, asnjë fjalë për dhunën ndaj të miturve. Heshtje totale.

Mungesa e tij është më shumë se fizike – është simbolike. Në një periudhë kur policia ka nevojë për reformim, për vetëpërgjegjësi, për llogaridhënie, drejtuesi i saj ka zgjedhur të zhduket. Ndoshta është në një konferencë ndërkombëtare për “sigurinë e fëmijëve në hapësira urbane”. Ose ndoshta është duke hartuar ndonjë plan strategjik për “rindërtimin e besimit tek qytetari”.

Por derisa të flasë, të paktën le të na njoftojë: është me leje, me pushime, apo në fushatë.... /Pamfleti

Lini një Përgjigje