
Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe 60 m/katrorë në qytetin e Durrësit
Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK për konfiskimin e një apartamenti të ish kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Mësohet se bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe 60 m/katrorë në qytetin e Durrësit, në zonën e Golemit për të cilën Dedja duket se nuk e justifikon dot si pasuri. Dedja ka 15 ditë për të apeluar këtë vendim të GJKKO-së.
“.Konfiskimin e pasurisë të paluajtshme (apartament) me sipërfaqe 60 m2, regjistruar në emër të shtetasit L.D, të sekuestruar me vendimin nr. 08, datë 20.04.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kalimin e saj në favor të shtetit, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e GJKKO-së.
Kujtojmë se dy muaj më parë Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi dënimin e dhënë nga Shkalla e Parë ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja me 6 muaj burg për fshehje e deklarim të rremë dhe konvertimin e masës me shërbim prove.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, e kaloi shkallën e parë të vetingut, por u rrëzua nga një vendim i Kolegjit të Posaçëm i Apelimit, KPA që e lidhi këtë subjekt rivlerësimi përmes një kontrate me OSHEE me një apartament në Golem, që pretendohej se ishte i vëllait.
Hetimet ndaj Dedjas u nisën nga SPAK në maj të vitit 2020, pas dyshimeve se kishte në pronësi pasuri të paluajtshme që nuk i justifikonte me burime të ligjshme. SPAK siguroi atëherë në Gjykatën e Posaçme urdhër sekuestroje për një shtëpi me sipërfaqe 60 m2 në Golem, në zotërim të Dedjas.
Dedja u deklarua dhe u dënua në Shkallën e Parë më 26 qershor 2023, për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Njoftimi i plotë i GJKKO-së:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konfiskimin e pasurisë së paluajtshme në zotërim të subjektit Bashkim Dedja, apartament me sipërfaqe 60 m2.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 3, 4, 6, 7, 11, 12, 21, 22, 24, 27 pika 2 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (të ndryshuar), me vendimin Nr. 5, datë 24.04.2025, vendosi:
1.Konfiskimin e pasurisë të paluajtshme (apartament) me sipërfaqe 60 m2, regjistruar në emër të shtetasit L.D, të sekuestruar me vendimin nr. 08, datë 20.04.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kalimin e saj në favor të shtetit, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
2.Urdhërohet sekretaria e gjykatës, t’i dërgojë një kopje të tij Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit.
3.Shpenzimet gjyqësore sikurse janë bërë.
4.Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Lini një Përgjigje