
Arrazi nuk është lejuar të jetë pjesë e varrimit të së bijës pas refuzimit nga Policia e Shkodrës.
Është zbardhur dokumenti ku Prokuroria e Shkodrës ka pranuar kërkesën e bërë nga Erdgys Arrazi, i dyshuar se shkaktoi vetëvrasjen e gruas dhe fëmijëve të tij, për të marrë pjesë në varrimin e vajzës së mitur, e cila u gjet e pajetë në lumin Buna.
Por pavarësisht lejes së dhënë nga Prokuroria, sipas vëllait të Erdgys Arrazit, ky i fundit nuk është lejuar nga policia të marrë pjesë në varrim.
“Prokuroria na ka dhënë leje që vëllai të vinte në varrim dhe policia nuk e lejoi që ti hidhte një grusht dhe vajzës që varrosëm sot”, u shpreh Edison Arrazi.
“Në përgjigje të kërkesës suaj, ku kërkoni leje të veçantë për të marrë pjesë në ceremonine mortore të vajzës së mitur Ergesa Erdgys Arrazi në datën 06.05.2024 ora 14:00, për të arrestuarin Erdgys Arrazi, i cili është ndaluar në datën 05.05.2024 për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, ju bëjmë me dije së bazuar në parashikimet ligjit 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim të Paraburgosurve” dhe “Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve”, kompetent për dhënien e lejeve te veçanta është Drejtori i Institucionit ku mbahet personi i ndaluar, i cili merr pëlqimin e prokurorit.
Organi procedues jep pëlqimin që personi nën hetim të lejohet të marrë pjesë në ceremoninë mortore, nëse nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër garantohet siguria dhe rendi gjatë shoqërimit të tij, ndalohet komunikimi me çdo person tjetër dhe sigurohet rikthimi i tij në dhomat e sigurisë ku mbahet i ndaluar, menjëherë pas përfundimit të ceremonisë mortore. Sa më sipër, ju lutem të drejtoheni në institucionin kompetent, për shqyrtimin e kërkesës suaj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Lini një Përgjigje