TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Qershor 2024, 17:02

Drejtësia palë me zhvatësit e mikrokredive, Apeli lehtëson masat e sigurisë për të akuzuarit

Shkruar nga Pamfleti

Drejtësia palë me zhvatësit e mikrokredive, Apeli lehtëson

Subjekti MCA dyshohet se ka përdorur vjedhjen për likuidimin e këtyre kredive të blera, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol po kjo agjenci.

Hajdutët e mikrokredive duket se po ja hedhin paq. Edhe pse kanë vjedhur miliona dhe kanë zhvatur me qindra qytetarë, duket se njëri pas tjetrit po dalin nga qelitë. Prokuroria fillimisht lëshoi 9 urdhër arresti, por më pas vetëm 4 mbetën në burg. Mirëpo edhe disa prej tyre janë amnistuar në Apel.

Në dyshimin për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendosi masën e arrestit me burg për shtetasit Arben Meskuti, Edmond Mato, Aldo Daka dhe Alber Gega. Ndërsa Alban Kote, është në kërkim. Ndërsa vendosi masën e arrestit në shtëpi për katër të pandehurat Kejda Seferi, Elda Ibro në dyshimet për vjedhje, si dhe shpërdorim detyre për Jorsida Dervishin dhe Alketa Tanushin.

Por sot u mbajt seanca në Apel dhe masat kanë ndryshuar. Apeli ka nxjerrë nga qelia Edmond Maton dhe Aldo Dakën. Për Jorsida Dervishin dhe Alketa Tanushin u vendos detyrim paraqitje.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 13.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Elona Toro vendosi:

Miratimin e vendimit Nr. 1368, datë 24.05.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë me këtë ndryshim si më poshtë vijon:

Caktimin si masë sigurimi ndaj personit nën hetim A. G atë të “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 K.Pr. Penale; Urdhërohet qëndrimi i personit nën hetim A. G në ambientet e banimit në adresën…;  Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim A. G nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale; Caktimin si masë sigurimi ndaj personit nën hetim E. M atë të “detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” …; Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E. M nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale.; Caktimin si masë sigurimi ndaj personit nën hetim J. D atë të “detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” …; Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim J. D nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale.; Caktimin si masë sigurimi ndaj personit nën hetim A. T atë të “detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” …; Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim A. T nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale.; Ngarkohet Organi i Prokurorisë për ekzekutimin e këtij vendim”, njofton Apeli.

Prokuroria bëri të ditur se këto shoqëri morën nga Banka ProCredit 3 mijë e 999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7 milionë e 299 mijë euro dhe “përdorën një skemë shtrënguese të kredimarrjes, ku nëpërmjet vjedhjes, u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi, edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat”.

Këto veprime të paligjshme të 3 shoqërive përmbarimore, 1 institucioni financiar jobankë, 1 zyre avokatore, 1 notereje dhe disa personave të tjerë të lidhur, sipas prokurorisë, cënuan interesin pasuror të mijëra shtetasve me pasoja shumë të rënda ndaj një kategorie të gjerë qytetarësh.

"Tre shoqëritë përmbarimore Zig, STAR/FS dhe Flash si dhe 2 shoqëritë Micro Credit Albania dhe ADCA, kanë vepruar si një entitet i vetëm me interes dhe aktivitet të përcaktuar. Sipas materialit kallëzues, pesë shoqëritë me ndihmën e një noteri dhe një duzine avokatësh, kanë krijuar skemën e “Shtrëngimit të debitorëve nëpërmjet procesit përmbarimor për marrjen e kredive te reja”, në përfitim te institucionit financiar jo banke Micro Credit Albania”, theksohet në materialet që prokuroria i ka nisur gjykatës.

Subjekti MCA dyshohet se ka përdorur vjedhjen për likuidimin e këtyre kredive të blera, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol po kjo agjenci.

Pas marrjes së një kredie të re pranë saj, zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë MCA u kërkonte atyre likuidimin e shumave të tjera.

Një numër kreditorësh janë pre kësaj skeme që vidhte pasuritë e tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Viktimë e kësaj skeme mashtruese mësohet jozyrtarisht se kanë rënë mijëra qytetarë të shtresës së varfër, ndërsa shumat që iu janë vjedhur atyre shkojnë në disa miliona euro.

Pjesë e skemës abuzuese këto institucione financiare kishin edhe kamatë vonesa nga 2% deri në 8% për çdo vit, veprim që thellonte ndjeshëm vjedhjen e shumave të konsiderueshme.

Prokuroria solli si një shembull të abuzimit të skajshëm rastin kur një shtetasi iu sekuestruan nga MCA 14 pasuri të paluajtshme për një detyrim të prapambetur afro 3 mijë e 500 dollarë.

Lini një Përgjigje