
Sipas logjikës së prokurorit të çështjes, Arjan Xhaferi, autori i vrasjes nuk ka treguar kujdes gjatë goditjeve barbare me grushte në kokë dhe në vend që ta plagoste e ka vrarë nga kjo pakujdesi gjatë kryerjes së krimit
Përveç dhimbjes për vrasjen inxhinierit të ndërtimit në Vlorë, familjarët e tij po përballën dhe me denigrimin që po i bëhet nga drejtësia, të cilët kanë nisur skenarin e lehtësimit të vrasësit Rei Meta, djalit të Anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Meta.
Prokurori i çështjes në Vlorë, Arjan Xhaferi, ka përfshirë vrasjen e ndërtuesit Armando Meshau, në Nenin 85 të Kodit Penal, duke e klasifikuar si “Vrasje nga pakujdesia”, që dënohet me gjobë ose deri 5 vite burg, sa ta vendosë trupa gjyqësore.
Pra, quhet “vrasje nga pakujdesia”, shkaktimi i vdekjes së njeriu gjatë dhunës fizike ekstreme, nga autori që kishte ndjekur viktimën hap pas hapi dhe u përfshi me paramendim në konflikt fizik, duke e goditur egërsisht me grushte.
Ligjërisht e logjikisht, “vrasje nga pakujdesia”, është kur ka përplasje kokë me kokë duke luajtur futboll; kur bie nga autobusi duke u shtyrë te dera; kur humbet kontrollin e motoçikletës e rrëzohen të dy ose duke bërë mundje e njeri humbet jetën.
Por vdekja e inxhinierit të ndërtimit në Vlorë, siç treguan pamjet, u shkaktua brenda 1 minute nga grushtet në kokë prej Rei Metës, i cili nuk e goditi nga pakujdesia, por me vetëdije të plotë e barbarisht për ta dëmtuar.
Vrasja quhet vrasje, e nuk ka asnjë ndryshim, nëse e godet me armë, më levë, gurë apo me grusht në kokë, dhe nuk mund të quhet vrasje nga pakujdesia, por vrasje e vetëdijshme gjatë një konflikti fizik, raste që janë dënuar me nga 15-20 vite.
Sepse sipas logjikës së prokurorit të çështjes, Arjan Xhaferi, ky rast quhet “Vrasje nga pakujdesia”, ngaqë djali i Anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Meta, nuk tregoi kujdes gjatë goditjeve barbare me grushte në kokën e inxhinierit të ndërtimit, të cilin në vend që ta plagoste e vrau nga kjo pakujdesi gjatë kryerjes së krimit.
“Pamfleti” e paralajmëroi, që pozita e të ëmës në KLP, që ka në dorë fatin e prokurorëve, do të ndikojë në lehtësimin dhe ndryshimin e kategorisë së krimit për efekt dënimi minimal; në rastin konkret “vrasje nga pakujdesia” që dënohet me gjobë, ose deri në 5 vite burg.
Lehtësim tjetër që i ka bërë prokurori, është dhe mashtrimi sikur ata janë takuar rastësisht në qendrën e internetit; dhe sikur pas ngjarjes, vrasësi Rei Meta është dorëzuar vetë në polici, kur në raportin policor, shkruhet: - Policia, me profesionalizimin e saj, arriti të evidentojë autorin e vrasjes, dhe ta arrestoj pas disa orësh.
Mirëpo kjo është drejtësia e re, për fëmijët e pushtetarëve dhe drejtuesve të drejtësisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje