
Avokati Spartak Ngjela ka deklaruar se do të kemi një shtator të nxehtë. Sipas tij muajin e ardhshëm SPAK do të bëjë lëvizje të mëdha.
Në një intervistë për mediat, Ngjela shtoi se SPAK do të godas djathtas këtë radhë dhe në nivelet më të larta. Sipas tij nga aksionet e shtatorit do të shtrohet rruga e së ardhmes.
“Mendoj se ka ardhur koha që SPAK-u të godasë lart. Mendoj se ka ardhur koha të godasë në sferat e larta. Deri tani ka goditur majtas. Do vejë nga korrupsioni B ose jo, se deri tani është në korrupsion A, unë mendoj se po. Do të shikojmë se çfarë operacionesh juridike do të kemi në shtator. Nga shenjat e shtatorit do të nxjerrim të ardhmen e afërt. Korrupsioni do goditet me spektër të gjerë”, tha Ngjela për News 24.
Avokati ndër të tjera foli edhe për çështjen Beleri dhe protestën në Himarë. Sipas tij qëndrimet e Greqisë vijnë nga frika që ata kanë nga gjuha shqipe. Ai tha se sa më shumë zhvillohet gjuha shqipe aq më tmerr e kanë.
“Grekët ende nuk kanë bërë një shtet, por duhet të bëjmë ne një shtet. Grekët janë të ndarë, arvanitasit dhe grekët e ardhur nga Anadolli. E kanë pasur dhe e kanë shumë frikë Shqipërinë. Në fakt nuk kanë frikë Shqipërinë, kanë gjuhën shqipe. Ata nuk i kanë lejuar arvanitasit të flisnin shqip, i fusnin në burg. Homeri ka 2-3 mijë fjalë shqip. Më tha Gjon Shllaku, përkthyesi i Iliadës, Spartak kam përkthyer Iliadën nga shqipja në shqip. Është gegnisht Iliada. Ai më tha që kuptohet nga Alpet. Nuk ka qenë e shkruar as Iliada, as Odiseja, kanë qenë vargje të mësuara përmendësh. Kuptohet që është poezi veriore e maleve tona veriore. Këtu fillon problemi i frikës dhe nuk janë shumë të thellë në marrëdhëniet me shqiptarët.
Akoma atje ka një territor të madh shqiptar. Çamërinë e kanë masakruar. Çamët ortodoksë janë atje. Shqip flasin, kam qenë unë. Të tëra këto konvergojnë në një pikë që ata i tremb. Sa më shumë zhvillohet gjuha shqipe aq më tmerr e kanë. Na quanin turq. I them unë njërit, po ç’turk ore, po mirë i thashë ortodoksët që janë grekë dhe myslimanët janë turq, po popullsia më e madhe janë katolikë. E humbi fare logjikën dhe tha ata janë më të poshtër, la bisedën dhe iku. Ne tani po na ngre shumë gjuha shqipe. Dhe greqishtja e vjetër shpjegohen vetëm me fjalën shqipe duke marrë etimologjinë”, përfundoi Ngjela.
Lini një Përgjigje