
“Drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK”, pritet të jenë thirrjet që do të jehojnë nga Tirana, kryeqyteti I Shqipërisë, në mbështetje të 4 prej figurave kryesore në jetën politike të Kosovës, që po gjykohen në Hagë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa gjykohen nga Gjykata Ndërkombëtare me qendër në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Protesta apo tubimi në mbështetje të 4 prej ish-drejtuesve të UÇK do të mbahet në sheshin ‘Skënderbej’, do të nisë në orën 17:00 dhe parashikohet të zgjasë jo më shumë se dy orë.
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, paralajmëroi pak ditë më parë, se në këtë tubim do të mbajë fjalën ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në protestën e sotme pritet të marrin pjesë politikanë të Partisë Socialiste, deputetët e saj, ndërsa nga opozita, kreu demokrat Sali Berisha tha se nuk është dakort me organizime të tilla. Berisha tha se kjo protestë nuk I shërben ish-liderëve të UÇK-së. Por nga rradhët e opozitarëve pritet të jenë Fatmir Mediu, kreu republikan, që tha se do t’i bashkohet tubimit si qytetar.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në mbështetje të protestës. Në një konferencë për media, Osmani theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë.
Përparim Rama, kryetari i Bashkisë së Prishtinës, dhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së, do t’i bashkohen tubimit në mbrojtje të ish krerëve të UÇK-së.
Kryebashkiaku Rama ka njoftuar se ka nënshkruar një shkresë, e cila mundëson transport falas për të gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të protestojnë në Tiranë.
Një ditë më parë u shkëmbyen replika në distancë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën që do të mbahet sot.
“Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën”, ka deklaruar LVV.
LVV ka vlerësuar se institucionet e Shqipërisë, shtet anëtar i Kombeve të Bashkaura, Këshillit të Evropës, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropian, NATO-s dhe pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet dhe vendoset për drejtësi, jo në Tiranë.
Ndajë këtyre akuzave, të enjten, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai akuzoi LVV-në se po shtrembëron qëndrimet e mëparshme për Gjykatën Speciale, duke theksuar se ai vetë ka denoncuar në çdo rast “farsën ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve”, ndërsa, sipas tij, “Vetëvendosja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim”.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja”, tha Rama.
Prej 3 prilli të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.
Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.
Lini një Përgjigje