
Flojera Davidhi nesër duhet të vendosë mbi fatin e dosjes "Partizani"
Pas gjashtë muaj zvarritje, Gjykata e Posaçme pritet të vendosë nesër nëse do të kalojë apo jo për gjykim dosja “Partizani”. Që prej dhjetorit gjyqtarja Flojera Davidhi nuk ka marrë një vendim dhe gjasat janë që nesër në orën 13.00 të merret vendimi final.
Në seancën paraprake në GJKKO ishin të pranishëm avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve, përfshirë edhe avokatin Luan Hasneziri, përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Homeplan”, i cili në seancën e fundit mungoi për arsye shëndetësore.
Hasneziri, njëjtë si avokatët e tjerë mbrojtës ka kërkuar pushimin e çështjes me argumentin se nuk kemi vepër penale. Nga ana tjetër SPAK kërkon kalimin e dosjes për gjykim.
Ndërkohë, avokatët e tjerë kanë kërkuar edhe pavlefshmëri të disa provave të SPAK. Në lidhje me këtë kërkesë, gjyqtarja Fjorela Davidhi vendosi rrëzimin e kërkesës. Seanca u shty për nesër në orën 13.00 dhe pritet që nesër të kemi një vendim final nëse dosja do kthehet mbrapsht, do kemi kalim për gjykim apo pushim për hetimet.
Kalimi i kësaj dosjeje për gjykim do të shënonte përballjen e parë të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit me drejtësinë. Ish-kryeministri ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa dhëndri i tij është nën “arrest shtëpie” për akuzat korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan', si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan. Bashkë me këta tre persona të fundit nën akuzë janë vendosur edhe shoqëritë e tyre tregtare për pastrim parash Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.
Dosja e SPAK
Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.
“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.
Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi;
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi, vijon SPAK.
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro. /Pamfleti
Lini një Përgjigje