
Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur hetimet pas denoncimit të sekretarit të qendrës së KZAZ në Dropull për mungesën e vulës së KZAZ.
Sipas njoftimit të policisë, shtetasi me inicialet Th. K., 36 vjeç, sekretar i qendrës së KZAZ-së në zonë, ka kallëzuar se më datë 21 prill, rreth orës 20:30 ka konstatuar se mungon vula e KZAZ-së.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë referuan materialet në Prokurori, pasi shtetasi Th. K., 36 vjeç, banues në fshatin Bularat, sekretar i qendrës së KZAZ në fshatin Grapsh, ka kallëzuar se më datë 21.04.2025, rreth orës 20:30, ka konstatuar mungesën e vulës së KZAZ-së. Vijojnë hetimet për rastin”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Gjithashtu, Prokuroria Gjirokastër ka regjistruar dy procedime penale për veprat që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.
Pas denoncimit të një qytetari, i cili kishte deklaruar se ishte kërcënuar në rrjetet sociale për shkak se mbështeste një subjekt të caktuar politik, Prokuroria ka nisur hetimet. Sipas kallëzimit, pretendohet se shtetasi me inicialet A.M ka përdorur jo vetëm gjuhë kërcënuese por edhe imazhe intimiduese.
Lini një Përgjigje