TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Korrik 2023, 08:30

Dhuna barbare ndaj kushërinjve Maja, Flamur Rraja hapi gurore të re disa ditë para sulmit

Shkruar nga Pamfleti

Dhuna barbare ndaj kushërinjve Maja, Flamur Rraja hapi gurore të re

Guroret në Borizanë janë bërë "mollë sherri" për dhunën barbare të fisit Rraja ndaj kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja.

Disa ditë para konfliktit të dhunshëm ku anëtarët e familjes Rraja dhunuan dy banorët e Borizanës që protestuan për dëmtimin e shtëpive nga shpërthimet në gurore, një prej personave të shpallur në kërkim për ngjarjen, ka nisur biznesin në zonë.

Mësohet se më 29 qershor 2023, Flamur Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS, ka blerë kompaninë “INERT 07”, e cila ka për objekt prodhim, tregtim, materiale inerte e ndërtim parafabrikate, gur gëlqeror, etj.

Flamur Rraja është bërë kështu administrator i subjektit deri në vitin 2028, pasi ka blerë 45.05% të kapitalit nga ortaku Lulzim Haka, 17.5% të kapitalit nga ortaku Luan Shehu dhe 37% të kapitalit nga aksionari Gani Farruku.

Më 6 korrik Flamur Rraja ishte mes personave që dhunuan në një lokal në Krujë, Bilbil e Jashar Majën pas protestave të këtyre të fundit për guroren e Përparim Rrajës e cila sipas tyre dëmtonte banesat në Borizanë.

Kujtojmë se dy kushërinjtë e dhunuar nga fisi Rraja, Jashar dhe Bilbil Maja kanë dhënë ditën e djeshme dëshmitë e tyre para policisë. Policia ka shkuar dje në banesat e dy të dhunuarve dhe ka marrë deklaratat e tyre për ngjarjen.

Në dëshminë e tij Bilbil Maja ka thënë se ka qenë në lokal me kushëririn duke folur me inixhinerin e firmës dhe më pas në një moment sipas tij me armë në dorë janë afruar vëllezërit Xhelal dhe Flamur Rraja, të cilët sipas dëshmisë së Bilbil Majës, i kanë thënë të shtrihet në dysheme duke i drejtuar armën në bark dhe e kanë ofenduar.

Më tej Bilbil Maja ka shtuar në deklaratën e tij se kur është shtrirë në dysheme ka parë edhe persona të tjerë të afrohen me shkopa bejsbolli të cilët më pas e kanë sulmuar.

“Në lokal pashë që kur u shtriva në dysheme u futën edhe katër persona të tjerë, ishte edhe “Caku” që është pronar i gurores. Kishin në duar shkopinj me të cilët na godisnin. Flamur Rraja më ka goditur me shulin e pistoletës, kurse Xhelal Rraja më goditi nga mbrapa në shpinë me qytën e pistoletës”, ka thënë në polici Bilbil Maja.

dhuna barbare maja flamur rraja gurore

Lini një Përgjigje