Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha është pyetur nga mediat për projektin e dhëndrit të ish presidentit Donald Trump që do të realizojë një projekt turistik në ishullin e Sazanit.
Ai tha se nuk i ka detajet e projektit, por shtoi se mirëpresin çdo investim që i jep ekonomi Vlorës.
“Nuk e kuptoj pse komentohet si e nxehtë. Në fakt nxehtë është gjithë koha, kur ka shumë diell ose kur ka ndonjë gjë ka impakt në komunitet.
Duam sa më shumë investime në qytet, ashtu siç i takon nivelit të vizitorëve që ne duam të thithim në Vlorë.
Varet si e kemi ne vizionin, duam ta zhvillojmë në mënyrë të qëndrueshme, të zhvillojmë pa prishur. Koha do ta tregojë sepse edhe unë nuk i kam detajet e projektit, mirëpresim çdo gjë që i jep ekonomi qytetit.”, u shpreh Dredha.
Planet e shpalosura nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, për të investuar në dy projekte turistike në Shqipëri, kryeministri Rama i cilësoi ambiciozë që do ta shndërronin Sazanin dhe Zvernecin në xhevahirë të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe!
Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialistë, Rama i quan delirantë ata që flasin për park kombëtar dhe zonë të mbrojtur që sipas tij e mbrojtur s’ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës.
“Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-Presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri! Po ata, që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm, e për investimet e huaja direkte, sot po flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe! ", tha Rama.
Lini një Përgjigje