Mes thirrjeve kundër projektit në Zvërnec dhe akuzave ndaj qeverisë, protestuesit para Kryeministrisë kanë zgjedhur edhe ironinë për të përcjellë mesazhet e tyre politike.
Një nga momentet që ka tërhequr më shumë vëmendje gjatë tubimit ishte shfaqja e një fotografie të montuar ku kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paraqiten duke u puthur. Mbi foto ishte vendosur shprehja: “Derisa vdekja t’i ndajë”, në një referencë të qartë ndaj një martese simbolike politike.
Mesazhi i protestuesve ishte se, pavarësisht përplasjeve publike mes dy liderëve, ata i konsiderojnë PS-në dhe PD-në si pjesë të të njëjtit establishment politik.
Fotoja u mbajt për disa minuta mes turmës dhe u fotografua nga pjesëmarrës të shumtë, duke u kthyer në një nga momentet më të komentuara të protestës.
Tubimi para Kryeministrisë u zhvillua për të tretën ditë radhazi kundër projektit turistik në Zvërnec. Protestuesit kërkojnë heqjen e gardhit të vendosur në zonë dhe pezullimin e investimit, ndërsa kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Lini një Përgjigje