Protesta kundër zhvillimeve të planifikuara në zonën e Zvërnecit ka vijuar edhe këtë të hënë para godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
Dhjetëra të rinj janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit që ka ngjallur debat publik. Një pjesë e protestuesve janë ngjitur në shkallët e Kryeministrisë, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Menjëherë ka ndërhyrë policia për t'i larguar.

Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje dhe slogane kundër qeverisë, ndërsa në një moment nga pjesëmarrësit është artikuluar edhe apeli: “Jo provokime!”, duke kërkuar që protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore.

Protestuesit shprehen se kundërshtojnë ndërhyrjet e planifikuara në zonën e Zvërnecit, të cilën e konsiderojnë një pasuri me vlera të veçanta natyrore dhe kulturore.
Tubimi po zhvillohet nën praninë e forcave të policisë, ndërsa deri më tani nuk raportohen incidente. Organizatorët kanë paralajmëruar se reagimet publike do të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje