Këshilli i Lartë i Gjyqësor ka futur sot në rend dite shqyrtimin e çështjes së dënimit të gjyqtares Irena Gjoka.
Prokuroria pak ditë më parë çoi dokumentin për Gjokën pranë KLGJ.
Sipas Prokurorisë, pas hetimeve, dokumenti i dënimit të Gjokës në Greqi është i saktë.
Vetë gjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka, e cila rezultonte të ishte dënuar në vitin 2005 nga një gjykatë e Janinës, është e bindur se nuk ka bërë asnjë shkelje kur nuk e ka deklaruar një fakt të tillë në formularin e dekriminalizimit.
Në një letër dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor, ajo shpjegon se vetëm i është refuzuar, pa shpjegime, hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka pasur dijeni as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor, i cili, sipas vetë ligjeve greke, është arkivuar dhe asnjëherë nuk ka marrë vendim të formës së prerë. Po për këto arsye, ajo deklaron se nuk është në kushtet ligjore ku funksioni i saj si gjyqtare mund të vihet në dyshim.
Ishte dhjetori i vitit 2002 kur policia greke i ndaloi hyrjen në Greqi, nga pika e Kakavijës, gjyqtares Irena Gjoka. Në letrën dërguar KLGJ-së, ajo shprehet se nuk mori shpjegim për këtë dhe u pajis me një vizë tjetër greke, por sërish, në shkurt të vitit 2003, iu ndalua hyrja në territorin grek.
Ndërsa bën të ditur se kishte autorizuar një shtetas grek, jo avokat, që të interesohej për shkaqet e ndalimit të hyrjes së saj, ajo deklaron se nuk ka marrë asnjë dijeni që në korrik të vitit 2005 një gjykatë në Janinë e kishte dënuar për falsifikim vize me tre muaj gjobë, të konvertuar në detyrimin e pagesës së një shume parash.
Lini një Përgjigje