Mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në Durrës është shoqëruar me debate të forta dhe akuza të drejtpërdrejta nga qytetarët ndaj politikës dhe Bashkisë së Durrësit, për projektin e shumëdebatuar “TID”, që prek qendrën historike të qytetit.
Banorët, të cilët prej muajsh protestojnë kundër shembjes së banesave dhe shpronësimeve, ngritën sërish zërin duke akuzuar institucionet se po u marrin pronat me forcë dhe pa transparencë.
Momenti më i tensionuar i mbledhjes erdhi nga reagimi i qytetares Rita Kazazi, pjesë e grupit të banorëve kundër projektit “TID”, e cila iu drejtua politikanëve me tone të ashpra.
“Ne po na merret shtëpia me të padrejtë. Projekti TID pa na informuar, pa na lajmëruar, një ditë të bukur na vjen një letër për të dalë nga shtëpia. Keni dëgjuar në ndonjë vend të botës të të prishet shtëpia me hipotekë, me tapi të vjetër, në mes të Durrësit?”, deklaroi ajo.
Në sallë pati tension edhe kur qytetarja akuzoi punonjës dhe drejtues lokalë socialistë se nuk preken nga projekti, ndërsa qytetarëve të zakonshëm po u shemben banesat.
“Të më dalin këto socialistët e bashkisë që kanë nga tre-katër shtëpi. A i prishet shtëpia ndonjërit prej tyre?”, tha ajo, duke shkaktuar reagime në sallë.
Projekti për Transformimin e Integruar të Durrësit (TID), i zbatuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, parashikon zhvillimin e parkut arkeologjik dhe transformimin urban të zonës historike të qytetit.
Por për 74 familjet që preken drejtpërdrejt, projekti shihet si një kërcënim për ekzistencën e tyre dhe për identitetin historik të Durrësit.
Banorët pretendojnë se shpronësimet janë larg vlerës reale të tregut dhe se shumë familje po detyrohen të largohen nga banesa të trashëguara prej brezash.
Përballë kritikave, bashkëkryetari socialist i komisionit, Arbjan Mazniku, u përpoq të ulte tensionet duke deklaruar se duhet gjetur ekuilibër mes zhvillimit dhe interesit publik.
“Duhet t’i mbajmë sytë te objektivi kombëtar, integrimi në Bashkimin Europian”, deklaroi Mazniku, duke theksuar nevojën për rritjen e kapaciteteve dhe përfitimin e financimeve europiane.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luçiano Boçi, deklaroi se reforma territoriale duhet të fokusohet te shërbimet dhe autonomia vendore.
“Duhet të ndryshojë modeli qeverisës, funksionaliteti dhe mbështetja financiare për qytetarët”, u shpreh ai.
Durrësi ishte ndalesa e tetë e turit të Komisionit të Reformës Administrativo-Territoriale, por si në qytetet e tjera, edhe këtu mbledhja u shoqërua me pakënaqësi dhe kritika të forta nga qytetarët.
Lini një Përgjigje