TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Shkurt 2026, 09:18

Dëborë në lartësi mbi 800 metra, ARRSH apel drejtuesve: Pajisuni me goma dimërore

Shkruar nga Pamfleti

Dëborë në lartësi mbi 800 metra, ARRSH apel drejtuesve:

Reshjet e dëborës kanë përfshirë zonat veriore dhe juglindore të vendit, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se aktualisht e bllokuar mbetet vetëm Qafë Thora, për shkak të rënies së vazhdueshme të ortekëve.

Sipas ARRSH, gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar, ndërsa në orët e para të mëngjesit ka nisur dëbora në zonat mbi 800 metra lartësi në veri dhe në juglindje.

Reshje dëbore janë raportuar në segmentet: Bajram Curri–Valbonë, Ura e Bujanit–Qafë Morinë, Fierzë–Bajram Curri, Kukës–Krumë, Kukës–Shishtavec, Hani i Hotit–Vermosh, Bogë–Theth, Qukës–Qafë Plloçë, Korçë–Voskopojë, Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Tre Urat.

Autoriteti Rrugor bën me dije se, përveç Qafë Thorës, të gjitha akset e tjera janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht. Në terren ndodhen kontraktorët me mjete dhe punëtorë, të cilët po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës për të shmangur ngricat.

ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht kur udhëtojnë në akse me prezencë dëbore.

 

Lini një Përgjigje