Rruga e re Librazhd–Bulqizë, konkretisht segmenti Zgosht–Ura e Çerenecit, është shndërruar këtë fundjavë në një problem serioz për qindra qytetarë dhe turistë.
Aksi që kalon përmes fshatit turistik Fushë Studen, në Njësinë Administrative Steblevë të bashkisë Librazhd, ka qenë pothuajse i pakalueshëm deri në mesditën e së dielës për shkak të mungesës së pastrimit të dëborës dhe hedhjes së kripës.
Burime nga terreni raportojnë se firma kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen nuk ka kryer asnjë ndërhyrje, pavarësisht reshjeve intensive dhe temperaturave të ulëta që krijuan ngrica në rrugë. Si pasojë, dhjetëra automjete dhe qindra turistë që udhëtonin drejt Parkut Kombëtar të Shebenikut kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në zonën e njohur si Shkalla e Lunikut.
Vonesat në reagim e kanë përkeqësuar situatën, pasi kërkesat e drejtuesve të mjeteve dhe turistëve për ndërhyrje janë marrë parasysh vetëm pas një kohe të gjatë. Kjo vonesë i ka lënë qytetarët të ekspozuar ndaj të ftohtit dhe rrezikut për aksidente.
Asfaltimi i këtij segmenti, që lidh Librazhdin me Bulqizën dhe Peshkopinë, është prezantuar si një nxitje për turizmin malor dhe ekonominë lokale. Megjithatë, në këtë periudhë dimërore me reshje të shumta dëbore dhe fluks të lartë turistësh, mungesa e një plani funksional mirëmbajtjeje ka nxjerrë në pah probleme serioze në administrimin e kësaj arterie rrugore.
Vetëm pak ditë më parë, ASHP e bashkisë Librazhd ndërhyri për hapjen e përkohshme të rrugës, pasi qindra banorë të fshatrave të zonës mbetën të izoluar. Ndërhyrja tregoi se pa reagim emergjent institucional, situata do të kishte pasoja edhe më të rënda.
Ky investim synon të përmirësojë lidhjen mes dy qarqeve dhe të sigurojë akses të qëndrueshëm drejt zonave natyrore të lindjes së vendit. Mungesa e mirëmbajtjes po rrezikon ta zhvlerësojë këtë funksion, duke kufizuar realisht përdorimin e rrugës në kushtet e dimrit.
Ngjarja e fundjavës ngre pikëpyetje mbi menaxhimin e investimeve publike, përgjegjësinë e firmave kontraktore dhe rolin e institucioneve, duke treguar nevojën për veprime konkrete që kjo rrugë strategjike të mos kthehet në një tjetër problem gjatë sezonit dimëror.
Lini një Përgjigje